Dështimi i projektit “Përroi Jugor” a do ta dëmtojë Maqedoninë?

Dështimi i projektit “Përroi Jugor” nuk duhet të shkaktoj panik, sepse për momentin në vend ka sasi të mjaftueshme të gazit, ndërsa pjesa më e madhe e saj madje as nuk përdoret. Ky është qëndrimi i ekspertëve të energjetikës në vend.

“Ne kemi kapacitet dhe sasi të mjaftueshme për këtë moment dhe në 10 deri 15 vitet e ardhshme, varësisht nga ajo se si do të pozicionohet vendi dhe nëse do ta pranoj gazin si energjetik që të shfrytëzohet në sasi më të mëdha. Ajo që duhet bërë është të zhvillohet rrjeti shpërndarës nëpër qytete dhe kjo duhet të realizohet në vitin 2015-të dhe 2016-të”, deklaroi Mitko Andreevski, konsulent i energjetikës. 
Edhe një pjesë e komunitetit të biznesit përmes odave ekonomike apeluan që Qeveria të gjej alternativë për “Përroin jugor”.

“Me keqardhje e pranuam lajmin nga Turqia dhe apelojmë deri tek Qeveria dhe institucionet të gjejnë alternativë, gjegjësisht të mos heqin dorë nga projekti i gazifikimit të shtetit” – thonë nga Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë.
Zëvendës- kryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski duke ikur nga kamerat nuk dëshiroi ta komentojë dështimin e “Përroit jugor”. Për dallim nga Peshevski, ministri i financave Zoran Stavrevski thotë se punojnë për gjetjen e alternativave.

“E ardhmja e “Përroit jugor” është në duart e Rusisë dhe BE-së, kështu që, nuk është çështje në të cilën mund të ndikojmë ne. Ne punojmë, kemi punuar dhe do të punojmë për gjetjen e alternativave. Vlerësoj se ekzistojnë alternativa të tilla dhe në një të ardhme të afërt Qeveria do të informojë për progresin sa i takon gjetjes së alternativave gjegjësisht gjetjen e burimeve të reja dhe qasje tjera për gaz për Maqedoninë”, tha Zoran Stavrevski, ministër i financave.

Ndonëse u anulua realizimi i “Përroit jugor”, sipas Stavrevskit marrëveshja që Rusia t’i kthej 60 milion dollarët borxh përmes ndërtimit të një pjese të rrjetit të gazifikimit në Maqedoni, mbetet e vlefshme./Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button