Shqipëria përfshihet nga stuhi reshjesh dhe ere, përmbytje në Vlorë dhe Fier

Stuhia e reshjeve që përfshiu gjatë natës jugun e vendit, ka krijuar probleme me rrugët ne qytetin e Vlorës dhe Fierit. Pompat e hidrovorit ndonëse kanë qenë në punë nuk kanë përballuar dot intensitetin e reshjeve që ka qenë i madh.

Erëra të forta deri në 45 km në orë nga jugu dhe shi i fuqishëm për rreth 3 orë,rrufetë dhe shkarkesat elektrike bënë që rrugët e Vlorës të gjendeshin nën ujë mëngjesin e sotëm, raporton Ora News.

Kjo stuhi ere dhe shiu bllokoi rrugët e qytetit me ujë, i cili arriti deri në lartesinë e trotuareve në disa zona, si zona e quajtuar “Albano e Romina” dhe rruga e Universitetit.

Energjia elektrike u shkëput pjesërisht në disa zona dhe u riparua disa orë më vonë. Edhe telefonia mobile, valët televizive dhe interneti pësuan luhatje.

Deti rriti fuqinë deri në 7 ballë brenda gjiut dhe 9 në det të hapur bënë që trafiku detar të qëndrojë i pezulluar.

Rrugët e qytetit të Vlorës u mbuluan nga uji, ndërsa banorët ankohen për neglizhencë të pushtetit vendor për mospastrim të kanalizimeve ne qytet, pasi Vlora sa here që bie shi përmbytet.

Zona të cilat u gjenden në vështirësi sot ishin zona e Skelës deri te Uji i Ftohtë, te Universiteti , lagjia “Pavarësia” , “Çentrale” , zona “Albano e Romina” si dhe lagjia Çole.

Përmbytje dhe në Fier

E njëjta situatë është paraqitur edhe në Fier. Reshjet kanë shkaktuar probleme në qytet tek vendi i njohur si Ura me Pasarela. Disa shtëpi të ndërtuara pranë lumit janë përmbytur, ndërsa lumi Gjanica është fryrë.

Në shkollën 9- vjeçare “Jani Boçova” në fshatin Qenas të Fierit uji ka hyrë brenda duke pezulluar mësimin për 200 nxënës të kësaj shkolle, informon gazetarja jonë në Fier Emanuela Nexhipi.

200 nxënës kanë mbetur pa mësim në Fier për shkak se reshjet dhe bllokimi I kanaleve kulluese kanë përmbytur shkollën “Jani Bocova”. / Ora News

Lajme të ngjashme

Back to top button