Rama: Keqardhje që datën e çlirimit e diskutojnë ata që tradhëtuan

Në një takim me veteranët e luftës në 70 vjetorin e çlirimit të vendit, Rama duke komentuar edhe për datën e çlirimit tha se ndjen keqardhje që debatin e bëjnë ata që tradhëtuan. Rama u shpreh se kjo datë diskutohet sot nga ata që tradhëtuan, ose nuk ishin fare dhe jo nga protagonistët.

“Sigurisht është për të ardhur keq që datën e çlirimit nuk e diskutojnë ata që bënë luftën dhe çliruan vendin, por e diskutojnë ata që tradhetuan dhe nuk ishin fare atje.

Përpjekja për të sulmuar dhe vënë në diskutim datën e përcaktuar nga ata që ishin në fushën e betejës është një përpjekje për të fshehur 29-nëntorin pas 28-nëntorit dhe për të mos i dhënë luftës antifashiste atë vlerë të jashtëzakonshme që ka.

Kjo luftë bëri të mundur që bota të shpëtonte nga një murtajë si ajo e nazizmit dhe fashizmit. I shohim me keqardhje ata që bëjnë përpjekje të dëshpëruar për të zbehur 29-nëntorin. Flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit i lirë krahas me flamurin e SHBA-së, Britanisë dhe shteteve të botës së lirë”, u shpreh Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohje për veteranët e luftës. “Gëzuar 70-Vjetorin e Çlirimit të atdheut! Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju dhe të përulem me shumë respekt bashkë me të gjithë ju në nderim të kujtimit të lavdishëm të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ.

Dua të theksoj se jemi shumë krenarë që sot jemi këtu në respekt dhe në përpjekje të vazhdueshme për të mishëruar përmes qeverisjes sonë dhe përmes betejave tona ato ideale, ato ëndrra dhe ato shpresa që çuan shumë vajza dhe djem në rrugën e një lufte çlirimtare e cila u kurorëzua në 29 nëntor të vitit 1944. Ju siguroj se ne do bëjmë gjithçka për të qene çdo ditë në lartësinë e ëndrrave dhe shpresave të gjithë atyre që luftuan dhe sakrifikuan për ta parë Shqipërinë një vend të denjë për fëmijët tanë”, deklaroi Rama.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit shprehu nderim për veteranët, duke thënë se “na duhet të përsërisim fort një të vërtetë historike që lidhet me rëndësine e 29 nëntorit dhe çlirimit të atdheut, se pa 29 nëntorin e 1944 nuk do të kishte 28 nëntor të 1912, sepse pa 29 nëntorin e 1944, Shqipëria do të ishte cilësuar si një vend humbës i luftës e do të ishtë copëtuar siç u coptuan shumë shtete të tjera të Evropës. Qarqet shoviniste fqinje u përpoqën ta paraqisin Shqipërinë si një vend humbës dhe ta coptonin atë dhe ta trajtonin atë si një palë humbëse.

Ishte gjaku i dëshmoreve dhe heronjve dhe i gjithë popullit shqiptar, që garantuan rikthimin e 28 nëntorit të Ismail Qemalit, vazhdimësine e shtetit tonë, duke ruajtur të pa prekur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Prandaj ne përkulemi me nderim e mirënjohje të jashtezakonshme ndaj sakrificës që bënë dëshmorët dhe heronjte dhe të gjithë ata që kontribuan në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare”, tha Meta. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button