12 fustane me produkte të mishit, projekti i fundit i Iliriana Loxha Bashës

Kalendari i Vitit të Ri, i realizuar me ide të Iliriana Loxha Bashës, ku përfshihen 12 fustane me produkte të mishit, që lansohet gjatë javës nga fabrika e mishit “Hako”, vlerësohet të jetë risi për ne. Loxha Basha ka thënë për KultPlus se e veçanta e këtij projekti është se të gjitha materialet e përdorura për këto fustane, janë dizajnuar dhe prodhuar enkas me produkte të mishit

Iliriana Loxha Basha, kësaj radhe është prezantuar më ndryshe, sa i përket dizajnimit të fustaneve që numërohen të jenë 12 sosh, e të dymbëdhjetit do të përbëjnë kalendarin e fabrikës së sallamit “Hako”.
Kalendari që pritet të dalë gjatë kësaj jave, përfshinë dizajne të fustaneve me produkte të mishit, që, sipas Loxha Bashës, është hera e parë që bëhet diçka e tillë tek ne.“Në botë është bërë, por tek ne është hera e parë që bëhet, që në material të futen produktet e mishit”, ka thënë për KultPlus, Loxha Basha.

Ajo ka specifikuar se ka bërë fustanet për këtë kalendarë, që nënkuptohet të jenë 12 fustane. “E veçanta e këtij projekti është se të gjitha materialet e përdorura për këto fustane, janë dizajnuar dhe prodhuar enkas me produkte të mishit”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, po sipas saj, një prezantim i tillë ka dashur edhe kohë, pasi që projekti ka filluar para një viti. “Qysh para një viti më kanë kontaktuar nga “Hako”, për të bërë kalendarin e Vitit të Ri, ku prezantohen produktet e kësaj fabrike si: sallamet e ndryshme, proshutat, në përgjithësi, produkte mishi. Bashkë me drejtuesit e fabrikës: Antonela dhe Aldo, erdhëm te ideja e fustaneve, me materiale të prodhuara enkas me dizajne të produkteve, por që të mos ngjanin të tepruara ”, ka thënë Loxha Basha.

Ndërkohë, sipas saj, puna e kalendarit u bë në bashkëpunim me grimeren, Lucia e Kreherit të Artë dhe me fotografin Endrit Mertiri. Ndryshe, Iliriana Loxha Basha njihet për punën e e realizimit të kostumeve në shumë projekte artistike në Shqipëri, por duke mos e anashkaluar edhe Kosovën./KultPlus.com

12 fustane me produkte të mishit, projekti i fundit i Iliriana Loxha Bashës

Lajme të ngjashme

Back to top button