Emira Ymeri flet për fillimet dhe ecurinë në fushën e dizajnit të modës (VIDEO)
Gjithmonë e buzëqeshur, me një stil të veçantë dhe karizmatike është dizajnerja nga Kumanova, Emira Ymeri. Ajo ka kohë që është e njohur me koleksionet e saj, por, së fundmi, Emira e provoi veten edhe si kostumografe në dy shfaqje, te “Nyjat” dhe “Ves Ves”. Përveç kësaj, ajo është edhe profesoreshë në Universitetin e Nënë Terezës në Shkup. Për Portalb.mk Emira flet më shumë për fillimet dhe ecurinë në fushën e dizajnit të modës.
Rrugëtimin në fushën e dizajnit e ka nisur shumë rastësisht. Emira gjithnjë ka pasur një bindje se nuk ishte e mirë në artin figurativ. Kur ajo ishte në shkollë të mesme, gjithnjë i fshihte vizatimet e saj dhe notën e merrte me teori. Çfarëdo teme që jepej për të punonuar për vizatim, Emira nuk e bënte, por, në vend të kësaj ajo vizatonte kreacione të ndryshme. Ishte profesoresha Albina e cila e kishte vënë re këtë dhe një ditë iu afrua dhe e pyeti se përse nuk vazhdon ta studiojë dizajnin e modës.
“Unë më herët nuk e kisha menduar këtë dhe nuk e kisha vërejtur talentin tim në dizajn të modës. Këtu e kuptova se sa shumë rëndësi ka një pedagog i mirë. Mua profesoresha Albina ma gjeti talentin që e kisha dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt. Unë e studiova këtë profesion dhe në asnjë moment nuk jam bërë pishman. Jam shumë e lumtur që tani që jam profesoreshë vet dhe vërej një interesim të madh nga ana e studentëve që ta studiojnë këtë drejtim.” tha Emira Ymeri.
Tani Emira e ka gjetur veten edhe si kostumografe. Procesi i të qenurit kostumografe realizohet në atë mënyrë kur në fillim jepet skenari për ta lexuar dhe për t’u inspiruar, më pas kur fillohet me skicat e kostumeve gjithmonë duhet të jesh në kontakt me regjisorin e shfaqjes. Kjo detyrë e tërheq shumë dhe e bën të ndjehet shumë komode. Përgjatë punës në dy shfaqjet e para ajo e ka kaluar një eksperiencë të shkëlqyer me stafin.
Meqë pranvera po afrohet, ne e pyetëm Emirën për trendet e këtij viti. Ajo që theksoi Emira është që këtë vit po mbizotëron stili i viteve 80’ dhe 90’. Këtë e vërejmë si tendencë te yjet botërore. Emira tha që trendet është mirë të përcillen, mirëpo është shumë e rëndësishme që të gjithë të posedojnë një stil të veçantë, me qëllim që të dallohemi nga të tjerët.
Mesazhi që Emira përcolli për të gjithë të rinjtë të cilët e ndjekin drejtimin e dizajnit është që të kenë vetëbesim, të jenë sa më pozitiv, t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen, të punojnë fort për të realizuar synimet e tyre.