Nepotizmi dhe pa-perspektiva të rinjve tregon demagogjinë e premtimeve të pushtetarëve

Deputetët e koalicionit qeveritar, dëshirojnë tu mbushin mendjen të rinjve se ardhmëria më e mirë e tyre është në Maqedoni. Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe ajo e  BDI-së, Nora Aliti, u bënë thirrje të rinjve që të mos largohen nga vendi sepse këtu ka më shumë perspektivë. Ata theksuan se hallet e të rinjve po diskutohen shumë në Parlament, pa precizuar se çfarë në të vërtetë po bëhet konkretisht për ta.

Të rinjtë flasin vetë për mundësitë dhe  perspektivën e tyre, përballë thirrjeve të vazhdueshme të qeveritarëve për tu mbushur mendjen se vendi mundëson perspektivë më të mirë se vendet e huaja.

Në një anketë të Portalb, të rinjtë shprehin pasigurinë  e tyre për një të ardhme që duket se nuk do të ndryshojë kurë. Ata thonë se po lundrojnë si një anije e humbur në një shoqëri ku perspektiva dhe mbijetesa e të rinjve po gllabërohet nga nepotizmi i skajshëm  dhe apetitet shtazarake të pushtetit për të ruajtur të paprekur komoditetin dhe privilegjet që u ofrojnë pozitat e larta.

“Një vend pune për të rinjtë kërkon të tejkalohen shumë filtra dhe barriera politike që dekurajojnë që në fillim të rinjtë për të qenë konkurrent të denjë”, thotë Burim Sadiku psikolog i cili edhe pas pesë viteve nga diplomimi nuk arrin të gjejë një vend pune . Kohën që i është përkushtuar shkollimin tash e konsideron si një kohë të humbur sepse tani i kthehet mbijetesës me plotë pasiguri.

Zeqirja Ismaili, jurist, është më pak optimist dhe aspak nuk beson në atë që mendojnë deputetët Nora Aliti dhe Aleksandar Nikollovski.

“Ata premtojnë se perspektiva e të rinjve po gatuhet në hapësirat e Kuvendit, por kjo për ne më së shumti asocon në një tregim të shpikur. Realiteti tregon të kundërtën se janë pikërisht ata që premtojnë njëfarë perspektive dhe që shkelin më së shumti mbi ardhmërinë e të rinjve”, thotë Ismaili.

Ai merr veten si shembullin më të mirrë të viktimës së nepotizmit, sjelljes së partive me rekrutët e tyre në garën për të gjetur një vende punë.

Në mungesë të kapaciteteve në sektorin privat, disa nga të rinjtë si mundësi të vetme për punësim i konsiderojnë institucionet e shtetit. Ata konsiderojnë në këtë sektor nuk ka aspak transparencë dhe mundësi të barabarta konkurrimi.

Skender Islami është njëri të ata i cili nuk ka lënë asnjë afat konkurrimi për të konkurruar sidomos në administratë shtetërore.

“Asnjëherë nuk ka pasur kushte për një konkurrim të denjë. Që në fillim janë ditur kandidatët të cilët do të pranohen. Për ne të cilët nuk arrinim të siguronim ndonjë lidhje, rezultate e testimit nuk na siguronin asgjë”. thotë Skenderi.

Skendri thotë se pas gjithë përgjegjësisë para së cilës duhet të turpërohen funksionarët politik ata bëjnë thirrje për tu mos u larguar jashtë sepse këtu kemi më shumë perspektivë. Ndoshta ata , thotë Skenderi, e kanë mendjen që pafundësisht të na shndërrojnë në lodra mashtrimi sa që do tu duhet të votojmë.

Deklarimet e fundit të deputetes Nora Aliti dhe Aleksandar Nikollovski, për atë se të rinjtë nuk duhet të largohen nga vendi se këtu kanë perspektivë më të mirë, për LSDM-në janë dëshmia më e mirë që tregon se të rinjtë largohen nga vendi për shkak të politikave që po zbaton qeveria.

Lajme të ngjashme

Back to top button