Policia arrestoi vrasësit e emigrantit në Tabanoc

Vrasja e emigrantit dhe plagosja e tre të tjerëve, disa ditë më parë në Tabanoc ka ardhur për shkak të tentativës për plaçkitje nga një grup personash. Policia ka arritur të zbardhë rastin, të zbulojë dhe prangosë personat përgjegjës, duke rrëzuar kështu dyshimet se emigrantët janë vrarë mes vete, apo pistën tjetër të përplasjes me grupin trafikues të tyre.

Sipas qëndrimit të sotëm të policisë, emigrantët që udhëtonin drejt Tabanocit, për të kaluar në Serbi e më pas, drejt Europës, janë ndaluar nga të paktën tre persona, rreth orës 1:30 të natës. 3 personat, të rinj nga 24 deri në 28 vjeçarë me inicialet J.V, D.P dhe S.L, kanë qëlluar me çifte në ajër për të frikësuar emigrantët për t’i plaçkitur. Por pas pikasjes nga emigrantët, njëri prej tyre e ka gjuajtur me gur në fytyrë personin kërcënues.

Si pasojë e nxehjes së gjakrave, personat plaçkitës kanë zbrazur breshëri saçmash nga armët e tyre të gjahut, ndaj emigrantëve, duke lënë të vrarë njërin prej tyre, dhe duke plagosur 3 të tjerë. Policia sqaron se emigrantët e sulmuar kanë qenë nga Bangladeshi dhe Pakistani. Pas veprës penale, sulmuesit kanë bërë pakt mes tyre për të fshehur krimin, si dhe kanë pastruar armët nga të cilat kanë hapur zjarr.

Por pas hetimeve dhe bastisjes në shtëpitë e tyre, policia ka arritur të lidhë personat me krimin, duke i prangosur ata. Policia njoftoi dhënien e masës së arrestit 30 ditë paraburgim, por vetëm 2 janë sjellë në burgun e Shkupit, pasi personi i tretë i akuzuar për këtë krim, është në arrati. 28 vjeçari me inicialet J.V, tashmë në arrati, sipas policisë ka qenë akuzuar edhe më parë për plaçkitje emigrantësh, si pronash private. Krimi u zbulua falë bashkëpunimit të Sektori të punëve të brendshme në Kumanovë, dhe sektorit për Luftë ndaj krimit të Organizuar pranë ministrisë së brendshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button