Juventusi fitoi derbin ndaj Ajaksit
Skuadra e Juventusit në kuadër të futbollit në sallë, ka vazhduar me serinë e fitoreve, kësaj radhe duke mundur në fushë të saj ekipin e Mall Ajaks nga Shtipi me rezultat 5:4.
Kjo ka dëshmuar se skuadra nga Shkupi këtë sezonë është në mesin e ekipeve më të mira.
Në këtë ndeshje dy gola për skuadrën bardhezi nga Shkupi ishin vepër e Orhan Ibishit, ndërsa nga një herë tundën rrjetin e Ajaksit edhe Nermin Bishevac, Muharrem Hajrullahi dhe Besnik Latifi.
Trajneri i Juventusit, Gafur Hasani ka thënë se ekipi është në formë dhe se me këtë fitore kanë vërtetuar epitetin e një prej ekipeve favorite për plasman të lartë. “I përgëzojë futbollistët për fitoren dhe lojën e treguar. Kemi fituar një derbi të madhe, ndërsa na presin edhe shumë sfida deri në fund. Jemi në mesin e tri ekipeve më të mira dhe shpresoj të vazhdojmë me fitore edhe në duelet tjera”, ka thënë për “Portalb” trajneri i bardhezinjve, Hasani.
Ndeshjen e radhës Juventusi do ta luajë kundër ekipit shqiptar nga Kumanova, Rojal Ilirët të cilët në këtë xhiro janë mundur nga “Skopje 2011” me rezultat të thellë 6:0.
SEE University nga Tetova gjithashtu ka shënuar fitore si mysafire, duke e mundur ekipin e Hedis me rezultat 4:3, ndërsa golashënues ishin me dy gola Ismet Ceka dhe nga një të Altin Salihut dhe Samir Ramadanit.
Kampioni aktual, skuadra e Zhelezarec pa probleme e mundi ekipin “Cërna Reka” me rezultat 5:1, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistrua edhe reprezentuesi i Maqedonisë, shkupjani Taulant Ismaili.
Tabela: Zhelezarec 21 pikë, “Скопје 2011” 16, Juventus 12, SEEU 12, Mall Ajaks 9, Veles 9, Bixho 8, Hedis 7, Cërna Reka 4 dhe Ilirët 4 pikë. / Portalb /