Në Tetovë u fik, aty edhe do ndizet

Gjatë tërë viteve të politikbërjes shqiptare në Maqedoni kishte një gjykim, herë i drejtë e herë jo, se Tetova është qyteti rreth të cilit sillet politika për shqiptarët këtu. Me dështimin e fundit në lidhje me mosprolongimin e afatit për vendosjen e filtrave për pastrim të Jugohromit edhe simbolikisht politikës shqiptare këtu i ka dal tymi dhe partitë aktuale me ekzistencën e tyre vetëm se vazhdojnë kontaminimin.

Kjo është kështu shkaku se dëmi i parë dhe direkt nga kjo paaftësi politike i ndodh Tetovës me rrethinë ku, tani dimrit edhe vetëm me sy, qartë vërehet efekti i këtij helmimi të ajrit. Kurse dështimi politik ishte i shumëfishtë së pari sepse një ndotës masiv në Shkup solli vendim për pushim të aktivitetit të saj, por atij në Tetovë ju vazhdua leja edhe për dy vite. E dyta shkaku se kjo ndodhi nën ingerencat e një ministrie që udhëhiqet nga një ministër që vjen nga partia shqiptare në pushtet dhe me nënshkrimin e tij. Kurse edhe në fund shkaku se kishte heshtje nga ana e partisë opozitare shqiptare përgjatë një kësi dështimi politik të partisë në pushtet. Gjë kjo që totalisht e delegjitimoi edhe atë, duke vërtetuar percepcionin për të si një organizim politik që ekziston për motive jopolitike. Dhe tani kjo ndodhi në Tetovë dhe rrethinë, ku kjo parti vite me radhë kishte bazën e vet më të fuqishme sociale; të votuesve dhe simpatizantëve të saj.

Por, në këtë dështim dhe rënie kishte edhe një moment i ri shumë i rëndësishëm e ajo ishte organizimi i protestës masive kundër ndotjes në Tetovë. Ku ndonëse në afat të shkurtër organizatorët ia arritën të organizojnë një protestë dinjitoze, edhe në shfaqje e edhe në prezencë. Kjo ishte edhe veçoria e momentit që pas një kohë të gjate në Maqedoni tubohen shumë qytetarë duke shpëtuar nga konteksti partiako-politik dhe ai ndër-etnik që të shprehin revoltën e tyre. Kur të merret parasysh se kjo ishte për një temë abstrakte siç është ajri, suksesi i kësaj proteste, edhe në efekt edhe në masivitet, është ende më i dallueshëm.

Mu ky moment si dhe aktualiteti i rënduar nga shtimi i zullumit të pushtetit ndaj popullatës dhe djersës së tyre siç janë gjobat e zmadhuara dhe ato taze të shpikurat; për baltë në goma, kontrollimi për arka fiskale në prani të forcave speciale dhe në përgjithësi qasja armiqësore e shtetit ndaj qytetarëve në Maqedoni janë tregues se kjo skemë e sundimit do prishet. Kjo nuk është ndonjë profeci, por vetëm përvojë historike ose siç ka thënë populli në fjalë të urtë: peri këputet kur hollohet, kurse zullumi kur trashet.

Kurse se kjo do ndodhë në Tetovë me rrethinë nuk është se aty me diçka dallohen qytetarët e as me koncentrimin e tyre, por në saje të ndarjes aktuale të njësive zgjedhore ku për shqiptarët me rëndësi të veçantë mbetet njësia numër gjashtë, si njësi  ku ndodhin ndryshimet politike.

Ashtu nëse revoltat qytetare arrijnë të shtohen dhe edhe ato si kjo e  fundit arrijnë ti shpëtojnë skemës partiako-politike dhe asaj ndëretnike ato do sjellin një frymë të re të cilën më pastaj politikisht shumë lehtë do mund ta artikulojnë iniciativa të reja politike që janë paralajmëruar, tani për tani vetëm tek shqiptarët.

Krejt kjo na bën të shpresojmë dhe mendojmë se aty në Tetovë u fik artikulimi politik dhe aty do mund të ndizet përsëri, për të sjellë një kaptinë të re në rregullimin e këtij vendi; të vogël, por me halle të ndërlikuara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button