De Biasi: Droni, çmenduria u mor si provokim

Trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi e ka të vështirë të harrojë dhunën e pashembullt që skuadra e tij pësoi më 14 tetor në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Edhe pse që nga ajo ditë ai ka dhënë shumë intervista në mediat italiane, ku nuk ka ngurruar të tregojë me detaje tmerrin e përjetuar, këtë herë është “Sky sport” që gjatë një komenti para dy ditësh për Champions League është ndalur edhe te Serbi-Shqipëri.

De Biasi ka theksuar sërish se gjithçka që ndodhi erdhi për shkak të keqorganizimit nga ana e vendësve, aq sa dukej qartazi se edhe policia ishte indiferente ndaj dhunës që pllakosi në stadium mes lojtarëve shqiptarë dhe tifozëve serbë që u futën në fushën e lojës.

Deklarata – “E kam thënë me qindra herë se gjithçka erdhi nga keqorganizmi, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte fakti se edhe forcat e rendit nuk lëvizën as gishtin e vogël, teksa ndodhnin ato incidente. Ishin gjëra, të cilat nuk i kisha parë kurrë në karrierën time. Ekzistonte një klimë urrejtjeje ndaj shqiptarëve që para se të shkonim në stadium, por edhe më pas, gjatë ndeshjes dhe derisa u larguam. Natyrisht, unë si italian e përjetoja në një mënyrë disi tjetër, paksa më të largët gjithë atë urrejtje”, deklaroi De Biasi.

Droni – Dikush që bën diçka të tillë, duhet të jetë paksa i çmendur, por ajo gjë mund të ketë qenë edhe thjesht një provokim”, ka pohuar tekniku italian.

Pikërisht për shkak të dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, skuadra jonë u dënua me 100 mijë euro gjobë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës. Gjithsesi, ky vendim do të apelohet në ditët në vijim, menjëherë sapo UEFA të sjellë zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit (pritet sot), vendimin e argumentuar. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button