Rama: Turqia partner strategjik

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), ka folur për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, investimet turke ne vend, Konferencën e Berlinit dhe rolin e Shqipërisë në Ballkan. Rama gjithashtu ka dhënë opinionet e tij edhe në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, arsyet e mbylljes së ambasadës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë, si dhe vlerësimin për fillimin e publikimeve në gjuhën shqipe të Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar marrëdhënieve Shqipëri-Turqi, Rama ka deklaruar për AA se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë nuk kanë qenë asnjëherë më të mira. “Qeveria shqiptare e ka përfshirë në vijën e politikës tonë të jashtme si një partner strategjik dhe kemi bashkëpunuar ngushtë me kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan, vazhdojmë të bashkëpunojmë po aq ngushtë me kryeministrin Ahmet Davutoglu dhe pas asnjë dyshim të voglin, e konsiderojmë Turqinë si një fuqi me një rëndësi të madhe specifike në rajonin tonë dhe duke qenë të dyja palët anëtarë të NATO-s, kjo e bën bashkëpunimi tonë shumë solid dhe intensiv. Pesha e miqësisë dhe vullneti i madh mes dy palëve janë shumë më tepër sesa rezultate e deritanishme konkrete në fushën e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e investimeve turke në Shqipëri. Padyshim që investimet turke në Shqipëri janë prezente. Ne duam dhe po bëjmë gjithçka që ato të jenë më të pranishme në territorin e Shqipërisë”.

Kryeministri Rama ka dhënë dhe një mesazh për shqiptarët që jetojnë në Turqi. “Shqiptarët dhe turqit kanë një histori të gjatë me njëri-tjetrin, një histori që ka çuar shumë shqiptare drejt Turqisë, prej të cilëve shumë kanë mbetur atje dhe kanë ndërtuar atje jetën e tyre. Unë jam shume i lumtur të dëgjoj gjithmonë fjalët më të shkëlqyera për shqiptarët nga gjithë përfaqësuesit e politikës turke, ashtu sikundër jam shumë i lumtur që prania e shqiptarëve në Turqi është një nga urat më të forta që lidh dy vendet tona”.

Ndërsa duke folur rreth vlerësimit për fillimin e transmetimeve në gjuhën shqipe, ai e konsideroi këtë një lajm shumë i mirë. “Unë jam shumë mirënjohës që drejtori dhe skuadra juaj ka ardhur deri këtë për të marrë këtë intervistë që do transmetohet në gjuhën shqipe, përmes agjencisë tuaj”.

Ndërkohë marrëdhëniet Shqipëri–Serbi, Rama i shikon në perspektivën e një kohë të re për Ballkanin dhe nga ana tjetër sipas tij kjo kohë e re kërkon lidership, kërkon një qasje të re dhe të bashkuar, për një të ardhme që duhet të jetë më e mirë për të gjithë popujt e rajonit, duke lënë pas të gjitha ato që në të shkuarën, jo vetëm na kanë penguar të shkojmë përpara, por kanë shkaktuar shumë konflikte dhe kanë sjellë shumë gjakderdhje, të cilat duhet të ja lëmë historisë, për të shkruar së bashku një histori paqeje dhe bashkëpunimi rajonal.

Ndërsa konferencën e Berlinit, Rama e ka konsideruar një konferencë historike për Ballkanin, sepse sipas tij shprehu në mënyrë konkrete vetëdijen dhe vullnetin e një vendi lider në Europë siç është Gjermania dhe të vetë kancelares Angela Merkel lidhur me domosdoshmërinë dhe nevojën që Europa ka për Ballkanin. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button