Gushti, muaji i harxhimeve të mëdha

Kriza ekonomike që ka kapluar vendin gjithsesi po reflektohet në të gjithë muajt e vitit, megjithatë muaji gusht është muaji që më së shumti vë në sprovë qëndrueshmërinë ekonomike të familjeve tona. Është ky muaji i “investimeve” të mëdha  të të gjithë qytetarëve , dhe kjo, jo sepse ato zgjedhin pikërisht këtë muaj që të zgjidhin qesen e tyre, por sepse kjo përcaktohet nga disa faktorë, të cilët nuk varen nga to. 

Një barrë të madhe për buxhetin e këtyre familjeve në këtë muaj gjithsesi paraqet  fillimi i vitit të ri shkollor,  në shtator, kur  ata duhet të ndajnë mjete të konsiderueshme për të përballuar harxhimet gjithmonë në rritje të  shkollimit. Më së vështiri, në këtë drejtim e kanë ato familje që kanë  më shumë fëmijë në bankat shkollore, sepse  harxhimet e tyre brenda këtij muaji shtohen  së tepërmi.

 “Mjetet materiale të nevojshme për përballimin e  këtij muaji nga aspekti financiar janë të shumta, ndërkohë që mundësitë për t’i siguruar ato janë të vogla. Një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kanë një vend pune, kurse edhe ato që qe kanë atë marrin të ardhura minimale, me të cilat nuk mund të përballohen nevojat në rritje, sidomos në këtë  muaj”, thotë N. H.

 I pyetur se si arrin ta përballojë këtë muaj në këso kushtesh, ai thotë se   e ka shumë të vështirë t’i kënaq të gjitha nevojat e fëmijëve të tij, dhe kjo e  vret shumë shpirtërisht atë.

 “Përpiqem që të mos  më diktojnë fëmijët se nuk mund ta përballojë shkollimin e tyre, sepse kështu mund t’i demoralizojë dhe ato dhe kjo mund të ndikojë në suksesin e tyre në mësime. Kryej çfarëdo pune që së paku t’u plotësoj  nevojat elementare, në këtë fillimviti shkollor dhe, edhe përkundër vështirësive të shumta arrij t’ia dalë disi. Gjithsesi kjo nuk  është ajo që duhet të jetë, që një qytetar ta jetojë jetën me dinjitet, por të tilla janë kushtet këtu” thotë ai.

Dhe harxhimet në këtë muaj nuk janë  vetëm për sigurimin e  kushteve për fillimin e vitit të ri shkollor për fëmijët. Edhe një sërë nevojash tjera duhet të plotësohen sidomos gjatë këtij muaji, për  të  garantuar sigurinë e jetës gjatë muajve në vijim dhe kjo edhe më shumë i vë në pozita të palakmueshme qytetarët hallexhinj, të cilët  nuk kanë të ardhura për përballimin e jetës. 

 Tani është koha, kur ato duhet të sigurojnë lëndën djegëse për ngrohje. Dhe pikërisht investimi për ngrohje është më i kushtueshmi, mbase nga të gjitha nevojat tjera. Çmimi i shtrenjtë i lëndëve djegëse, siç është druri, por edhe  nafta dhe rryma elektrike i vë në pozita të palakmueshme  familjarët.

Një metër kub dru kushton  jo më pak se 35 euro dhe  një qytetari minimalisht ( ata që harxhojnë më pak) i duhen së paku 7 metra dru, ndërsa të tjerëve 14 e më shumë. Pesëqind euro të harxhuara për dru, ose më shumë për lëndët tjera djegëse janë një barrë e rëndë për buxhetet familjare, në kushtet kur ato duhet të punojnë minimalisht 2 muaj për të siguruar lëndën djegëse për një vit. 

“Sigurimi i druve për ngrohje është  problem serioz, për të gjitha familjet, por për të zbutur atë sadopak, unë në familjen time gjatë muajve të dimrit ndërrojmë dhomën e ndejtjes, duke kërkuar ato më të voglat, që ngrohen më shpejtë, thotë një qytetar tjetër, i cili punon në arsim.

Çmimi i lëndëve djegëse është i papërballueshëm për kushtet tona ekonomike, thotë ai , duke shtuar se  është e vërtetë që edhe  puna për t’i siguruar ato është e mundimshme. 

“Nga 14 vjet punoj në arkë të subjekteve tregtare. Rroga ime është e njëjtë që atëherë. Pra ajo nuk është ngritur, asnjëherë, ndërsa çmimet e artikujve të veçantë janë dyfishuar dhe trefishuar”,  thekson një 30 vjeçar, duke u ankuar për gjendjen ekonomike të fsmiljes së tij.

Muaji i Ramazanit dhe Dita e Bajramit, gjithashtu kërkojnë mjete financiare shtesë, të cilat duhet të ndahen nga  buxhetet e familjes. Në muajin e shenjtë të Ramazanit, kreu i familjes përpiqet maksimalisht që tryeza në familjen e tij të jetë sa më e begatë dhe kjo gjithsesi ndikon në shtimin e harxhimeve.

Të gjithë këto, ndërkaq ndikojnë në standardin jetësor të familjeve tona, në kushtet kur harxhimet për jetesë, sipas statistikave janë rritur. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button