Institucionet nuk i kushtojnë vëmendje situatës së sigurisë pas granatimit të qeverisë

Hedhja e dy predhave në godinën e qeverisë mundohet të heshtet nga organet përkatëse, duke e trajtuar atë si një rastë të izoluar edhe përkundër perceptimit të një rasti shumë më serioz nga opinion publik.

Ekspertët vlerësojnë se institucionet duhet të jenë shumë më efikas dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje situatës së krijuar.

Granatimi i Qeverisë edhe pse rast i izoluar, është incident shumë më serioz se sa është perceptuar nga organet kompetente. Kështu vlerësoi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, në emisionin e mbrëmshëm “Rruga Drejt…”, kushtuar situatës së sigurisë në Maqedoni. Mexhiti tha se mangësitë në punën e shërbimeve janë të dukshme, ndërsa mos-zbardhja e këtyre rasteve stimulon episode të tjera dhune dhe terrori, transmeton Alsat.

“Se ka pasur lëshime dhe ka dobësi tek organet kompetente të sigurisë, është evidente dhe mos ndriçimi i rasteve të tilla mund të motivojë raste të tjera, mund të motivojë që njerëz prej arsyeve të ndryshme, motiveve të ndryshme të ndërmarrin hapa të tilla të cenojnë arsyen e qytetarëve, sepse nuk mund të dimë që në rastin tjetër mund të ketë edhe njerëz aty ku ka goditur granata”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Edhe ish ministri i brendshëm dhe partneri i koalicionit të Gruevskit Pavle Trajanov vlerëson se shërbimet duhet të jenë shumë më efikase në këto raste, duke marrë parasysh se edhe 2 sulme tjera të ngjashme kanë mbetur pa u zbardhur.

“Pritet reagim i shpejtë, dhe pritet rezultat nga aktiviteti i shërbimeve. Qytetarët i paguajnë shërbimet të punojnë në mënyrë efikase dhe të bëjnë që qytetarët të ndihen të sigurt, dhe ata duhet të mbajnë llogari për interesat shtetërore. Sepse nëse presim reagimin e qytetarëve, mund të kthehet në tjetër mosmarrëveshje, në tensione ndëretnike, dhe pastaj që të sanohet e gjithë kjo do të duhet shumë kohë dhe energji, por kuptohet do të ketë edhe pasoja të tjera”, u shpreh Pavle Trajanov, ish ministër i brendshëm.

Ndërkaq nënkryetarja e LSDM-së Frosina Remenski u shpreh se organet shtetërore nuk duhet të kenë qasje selektive në raste të krimit, me qëllim që edhe qytetarët ti përjetojnë kriminelët jashtë prizmit të etiketimit etnik apo fetar.

“Qytetarëve të Maqedonisë duhet tu ngrihet vetëdija se kriminelët dhe terroristët nuk kanë përkatësi etnike dhe fetare se pavarësisht se kush është kryerës, ata janë kriminelë. Derisa nuk kemi qasje të njëjtë ndaj gjykimit, pavarësisht përkatësisë etnike, politike apo fetare, ne do të bëjmë xhiro në labirintet e etiketimit”, deklaroi Frosina Remenski, nënkryetare e LSDM-së.

Sulmi me dy predha ndaj godinës së Qeverisë ishte shkak për analizimin e situatës së sigurisë në vend. Deri tani nuk janë zbardhur motivet e këtij sulmi, por ekspertët vlerësojnë se nuk duhet shpërfillur nga institucionet. Përkundër rasteve të tilla, presidenti Ivanov tashmë 6 vite nuk ka thirrur seancë të Këshillit të Sigurisë, përveç seancave konstitutive në fillim të dy mandateve

Lajme të ngjashme

Back to top button