Zoran Zaev: me këtë politikë Maqedonia do të mbesë e izoluar nga bota
Pakënaqësinë e tij, me rrugën në të cilën ecën vendi, lideri i opozitës, Zoran Zaev e ka shprehur edhe në mediat bullgare. Ai ka deklaruar se nëse vazhdohet me këtë politikë Maqedonia do të mbesë e izoluar nga bota.
“Shpresoj se do të ndryshojë politika, në raport me fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin me BE-në dhe NATO-n”, ka deklaruar Zaev, duke përkujtuar se vendi që nga viti 2005 e gëzon statusin e kandidatit për integrim në BE, por nga atëherë është duke qëndruar në vend.
Edhe pas tetë vitesh nuk i kemi filluar bisedimet për anëtarësim. E ardhmja e paqartë e qytetarëve të vendit tim, po bëhet problem gjithnjë e më i madh në jetën e njerëzve. Kjo është dëshmia më e fortë se m Maqedonia nuk po ecë në drejtimin e duhur”, ka deklaruar Zaev për mediat bullgare.
Ai ka vlerësuar se problemi më i madh është kontesti me Greqinë për emrin , kontest ky që ka ngadalësuar të ardhmen evropiane të Maqedonisë.
Nuk ekziston vullnet i fuqishëm për reforma. Kemi probleme me gjyqësinë, administratën dhe lirinë e mediave. Me biseda të kujdesshme, miqësore dhe diplomatike gjithmonë mund të arrihet një zgjidhje. Vetëm duhet të jemi të hapur dhe me orientim miqësor që të arrijmë qëllimin tonë”, ka deklaruar Zaev.