Vuçiq zbulon detaje të telefonatës së tij me kryeministrin Edi Rama

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ka zbuluar disa detaje të telefonatës së tij me kryeministrin Edi Rama dhe sesi vendosi për shtyrjen e vizitës. Ai ka thënë se zhvillimin e vizitës më 22 tetor, Rama do ta përdorte për të fituar kredo politike. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai ka vendosur të mos e presë në datën e paracaktuar.
“Vendet e rajonit fajësuan të gjitha Serbinë dhe për këtë arsye deklarova se gjëja më e drejtë ishte shtyrja e vizitës. Këtë ia thashë edhe kryeministrit Rama, i cili, me vizitën në Beograd do të fitonte kredo politike. Prandaj i thashë se ishte më mirë ta shtyjmë vizitën”, është shprehur Vuçiç.

Ai tregoi se ka marrë përsipër që këtë vendim t’ia komunikojë personalisht edhe kancelares gjermane Angela Merkel. “Për këtë do të bisedoj me zonjën Merkel. T’i shpjegojmë pse e bëjmë dhe të punojmë që ajo ta kuptojë këtë. Kjo është ajo që bëra”, ka thënë Vuçiç.

Kryeministri serb e konsideron valëvitjen e flamurit me dron mbi stadium si “qëndrim joserioz”, për shkak se, sipas tij, me ngritjen e dronit, dikush ishte përpjekur të destabilizonte Serbinë. Kjo është një tjetër arsye që ai e refuzoi vizitën e Ramës më 22 tetor. “Unë nuk do të lejoja që dikush të shkelte krenarinë serbe pas incidentit. Pra, nuk mund të përpiqesh të shkaktosh destabilitet në vend dhe të nesërmen të thuash: heh, heh, heh, një shaka e vogël”.

Për kryeministrin serb, ngritja e dronit ishte provokim i shqiptarëve dhe Olsi Rama nuk përjashtohet nga të dyshuarit. I pyetur përse nuk e mohon apo e konfirmon përfshirjen e tij, ai tha: “Unë as dua të konfirmoj e as të mohoj. Ne jemi duke pritur përfundimin e hetimit. Ne kemi një të dyshuar dhe një ndihmës. Këta njerëz kanë ardhur Italia edhe pse të dy janë shtetas të Shqipërisë. Ata kishin një ndihmës që e komandonte me telefon në stadium. Është një prej ndihmësve ky apo ai person, këtë unë nuk e di. …Fajin direkt për incidentet e pati droni dhe lojtarët shqiptarë të cilët sulmuan lojtarët serbë. A mund të fajësohemi ne për futjen e tifozëve në fushë dhe gjithçka ndodhi më pas? Po kemi faj, dhe për ketë do t’i pranojmë pasojat”, ka deklaruar Vuçiç.

Vuçiç ka thënë se nuk i urren shqiptarët, ndërsa kujton se autoritetet serbe i arrestuan personat që sulmuan shqiptarët dhe bizneset e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. “Sigurisht që unë nuk i urrej shqiptarët dhe jam i hapur dhe i gatshëm të bisedoj me ta. Disa prej tyre janë qytetarë të vendit tonë dhe kam pasur gjithmonë një dialog të hapur. Nuk kam treguar urrejtje ndaj tyre në asnjë deklaratë”.

Por sa u përket thirrjeve antishqiptare në stadium dhe urrejtjes së shfaqur prej tyre me thirrjet “vritini shqiptarët”, u shpreh: “Ajo thirrje mund të dëgjohet në çdo lojë mes Yllit të Kuq dhe Partizanit. Thirrjet e tyre kanë qenë edhe kundër meje. Ata do të vazhdojnë me këto kore edhe për 10 vjet”.

Lajme të ngjashme

Back to top button