Planifikohet që komunat e Maqedonisë të binjakëzohen me komunat e Spanjës

Ministri për vetëqeverisje lokale Lirim Shabani në kabinetin e tij takoi ambasadorin e Spanjës, Ramon Abaroa Carranza me të cilin shkëmbyen mendime lidhur me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive simotra ndërmjet Maqedonisë dhe Spanjës si dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe binjakëzimit të komunave të dy vendeve.

Ministri Shabani e informoi ambasadorin Carranza me procesin dhe ecurinë e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë si dhe me rëndësinë e këtij procesi në vendin tonë.

“Për Ministrinë e vetëqeverisjes lokale dhe për gjithë ne, me rëndësi është zhvillimi i qëndrueshëm i procesit të decentralizimit i cili është në rrugë të mbarë, por kemi nevojë për shtytje të mëtutjeshme sepse ky proces është i ndërlikuar dhe dinamik”, deklaroi ministri Lirim Shabani. Republika e Maqedonisë është e ndarë në 8 regjione planore, dhe se një nga format më të mira për bashkëpunim do të ishte binjakëzimi i regjioneve ose binjakëzimi i komunave ndërmjet dy vendeve, meç rast do të vinte deri te shkëmbimi i përvojave të mira mes dy vendeve,  theksoi mes tjerash ministri Shabani.

Ambasadori i Spanjës, Carranza theksoi se sivjet u shënua 20 vjetorin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve dhe në këtë drejtim ambasada spanjolle është e interesuar të jap kontributin e sajë për decentralizimin administrativ në më shumë fusha.

“Me vëmendje përcjellim situatën Republikën e Maqedonisë dhe jemi në dijeni se me Marrëveshjen e Ohrit është duke u bërë përfaqësim adekuat edhe i shqiptarëve në vendin tuaj. Sa i përket interesimit për thellimin e bashkëpunimit, këtë do ta përcjell në sekretariatin shtetërorë për administrim të Spanjës me qëllim të organizimit të seminareve dhe trajnimeve për decentralizimin e pushtetit dhe se rekomandimi i parë do të ishte vendosja e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të dy vendeve” , theksoi ambasadori Carranza.

Lajme të ngjashme

Back to top button