U hap parku ‘Nikolla Gruevski’
Iniciativa qytetare “Avanarda” dhe “Oksigjeni”, grumbulloi qytetarët në parkun përball hotel Bristol, të cilin Qeveria e ka në plan të prishë, për shkak se do të ndërtohet ndërtesa e Këshillit për Radiodifuzion, në stilin barok.
Parku ironikisht u quajt me emrin “Parku i Nikolla Gruevskit”.
Qytetarët e mbledhur dolën me mesazh të qartë për qeverinë se nuk do të lejojnë të shkatërrohet ai park pasi që ky mund të jetë edhe parku i fundit i gjelbër në këtë qytet.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski i cili tha se kishte ardhur si një qytetar i shqetësuar.
“Të gjithë janë të shqetësuar për faktin se në 10 vitet e fundit është shkatërruar 80% e hapësirave të gjelbra në Qendër. Unë si kryetar i komunës do të bëj siç kam premtuar, për ta ndaluar shkatërrimin e gjelbërimit dhe do të punoj për rivendosjen e hapësirave të gjelbra”, tha Zhernovski./Portalb