Njohja e pensioneve Shqipëri-Kosovë

Shqipëria dhe Kosova synojnë të harmonizojnë sistemin e kontributeve shoqerore mes dy vendeve në mënyrë që shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë t’u njihen vitet e punes në të dy shtetet. 

Për këtë arsye në Kosovë u zhvillua një takim pune mes drejtoreshës së Institutit te Sigurimeve Shoqerore, Vjollca Braho dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

“Tema e bisedimeve është si fillim për të biseduar, per t`i gjetur rrugët për t`i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës, në fushën e mbrojtjes sociale, një nga fushat më të rëndësishme dhe mjaft të ndjeshme të moshës së tretë, për t’i mbuluar këta qytetarë në të dyja vendet me elemente të sigurimeve shoqëror’, tha Braho.

“Ideja, konkretisht është që ne sot bashkarisht t’i diskutojmë disa modalitete që janë shumë me interes për dy vendet tona. Absolutisht idea që ne të kemi një draft propozim të marrëveshjes që do ta diskutojmë mes dy vendeve dhe në një periudhë shumë të afërt të arrijmë dhe të konkretizojmë pikat referuese që do të përfshihen në marrëveshjen për nënshkrim të saj”, tha Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i Ministrit të Punës dhe Mirëqënies Sociale.

Për të arritur një marrëveshje të tillë, nëse është nevoja, do të bëhet edhe harmonizimi i ligjeve të të dy vendeve.

“Modalitetet të cilat do të diskutohen sigurisht varen nga ligjet të cilat janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Praktikisht këto ligje edhe nëse nuk janë në harmoni të plotë, sigurisht jam i bindur që do të harmonizohen në interes të këtij opcioni që po inicohet sot prej këtyre tri institucioneve dhe une besoj se do të gjej përkrahje edhe te qeveritë tona, do të gjej përkrahje edhe te kuvendet tona, do të gjejë përkrahje edhe më të gjerë te shoqëria civile, që kjo të jetë një bashkëpunim fillestar që do të nxitë edhe bashkëpunime tjera që do të jenë me rëndësi për ne, për shqiptarët në përgjithësi”, tha Ymer Havolli, kryetar i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ky takim i parë do të pasohet nga të tjerë që kanë për qëllim realizimin e njohjes së kontributeve përkatëse në të dy shtetet.

Lajme të ngjashme

Back to top button