Rama: Progres raporti inkurajues, nuk dimë çfarë kërkon opozita

Për kryeministrin Edi Rama, progres raporti mbetet inkurajues për Qeverinë. Në një konferencë të përbashkët për mediat me Ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, raport progresi i Komisionit Europian për Shqipërinë është vlerësuar nga kryeministri si inkurajues.

Në fjalën e tij, ai ka vënë theksin në vlerësimet pozitive të raportit, sa i takon vullnetit të Qeverisë për thellimin e reformave. “Ky raport konfirmon vlerësimin shumë pozitiv të KE për arritjet e Qeverisë dhe ç’ka vlen akoma më shumë vullnetin tonë qeverisës për thellimin e reformave.

Në këtë aspekt marrim si inkurajim të fortë vlerësimin e KE-së se Qeveria ka treguar vullnet për të luftuar në mënyrë vendimtare krimin kundër korrupsionit, luftën kundër narkotikëve si shprehje kuptimplotë dhe se janë shënuar hapa konkretë në reformën e gjyqësorit.

Për ne, rekomanimet përputhen plotësisht me vullnetin dhe programin e qeverisë tonë dhe i jep fund një historie kanceri në sistemin gjyqësor dhe këtu do përfshihet dhe administrata.

Për të vijuar me luftën pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar, që në Shqipëri drejtësia të mos jetë sinonim i korrupsionit, administrata të mos ketë pika përputhje me korrupsionin dhe jeta e qytetarëve të mos jetë e penguar nga korrupsioni, jo sepse e kërkon BE-ja apo nënvizon Raporti, por sepse 5 përparësitë kyçe janë dhe 5 instrumenta për modernizimin e vendit. Ne do t’i ndjekim këto edhe me më shumë vullnet dhe ritëm”, theksoi Rama.

Ai ka komentuar edhe apelin që i drejtohet opozitës, për të ndërprerë bojkotin parlamentar. “Lidhur me opozitën, ne jemi të vendosur të mos jemi pjesë e përsëritjes së historisë në asgjë. Opozita gjatë periudhës së qeverisjes sonë nuk do të vuajë asgjë nga ato që kemi vuajtur ne gjatë qeverisjes së tyre. Çfarë ne e konsideruam të drejta ku ishim opozitë, i’a konsiderojmë dhe i’a ofrojmë asaj sot. Kur ne braktisëm parlamentin, kërkonim hapjen e kutive, kishim argumenta konkrete, kurse sot akoma nuk e dimë çfarë kërkon opozita, veç kuptohet, largimin e qeverisë.

Po këtë s’ia plotësojmë dot, veç populli e bën me votë”, tha Rama. Vlahutin citoi se nevojitet gjithëpërfshirja e palëve politike në vend. “Për ne është e rëndësishme gjithpërfshirja dhe që të mos rëndohet ky dialog, por të ketë debat të çiltër. Ne jemi këtu tejet të angazhuar për të ndihmuar Qeverinë dhe ecur Shqipëria përpara”, u shpreh ajo. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button