Çairi fiton në Gostivar, publiku sulmon vashat

Ka filluar sezoni hendbollistik në Ligën e Parë të Maqedonisë për femra, ndërsa skuadra Çairi e ka filluar në mënyrën më të mirë, duke shënuar fitore si mysafire ndaj ekipit Univers nga Gostivari.

Edhe pse kjo ndeshje duhej të jetë një festë për dy skuadrat, fundi ka qenë trishtues për vashat nga Shkupi, të cilët vetëm 30 sekonda para të mbarojë ndeshja, janë sulmuar nga publiku, por për fat të mirë ekipi ka shpëtuar nga ndonjë incident më i madh.

Trajneria e vashave nga Çairi, Mia Islami për “Portalb” ka thënë se loja ishte shumë e mirë dhe dinamike, por fundi i keq e la nën hije paraqitjen e dy ekipeve.

“Në momentin kur pritnim që të përfundojë ndeshja dhe të festojmë fitoren, nga pakënaqësia e rezultatit, një vajzë futet nga publiku dhe ka goditur në buzë Vjollca Tahirin dhe në këtë moment ndeshja u ndërpre, ndërsa ne mbetëm në sallë me orë të tëra derisa policia na ka larguar prej aty. Vashat tona gjatë gjithë kohës kishin epërsi dhe nuk lejuan në asnjë moment që të vijë në dyshim fitorja dhe kjo hidhëroi disa tifoz që edhe u vërsulën në sallë”, ka thënë Mia Islami.

Para se të ndërpritet ndeshja, rezultati ka qenë 24:23 në të mirë të Çairit, ndërsa kjo ndeshje shkaku i ndërprerjes është regjistruar me rezultat zyrtar 10:0 për Çairin.

Ndeshjen e radhës Çairi e luan në Shkup, kur përballë do të ketë vashat e Kumanovës. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button