Gazetarët e revoltuar, Qeveria sërish nuk na pyet për Ligjin e ri

Të tërhiqet propozim Ligji për media dhe të korrigjohet propozim Ligji për shërbime audio dhe audio-vizuele pasi që nuk i përmbajnë rekomandimet kryesore dhe thelbësore të konventave evropiane dhe ekspertëve medial. Madje, Qeveria ka kthyer nenet e draftit të parë të ligjit , duke e bërë atë të dëmshëm për gazetarinë dhe fjalën e lirë në vend. Ky është qëndrimi me të cilin dolën katër organizatat të cilat mbrojnë fjalën e lirë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e gazetarëve (SG), Qendra për zhvillim të mediave (QZHM) si dhe Instituti maqedonas për media (IMM), pas analizës së propozim ligjit për media të cilën e miratoi Qeveria javën e kaluar ndërsa është vendosur në rend dite në Parlament.

“Në vend të ligjit për mediume, që nuk e kërkon askush, as gazetarët e as Bashkimi Evropian, Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje ligjore për fushatat qeveritare dhe donacionet në media në kohë të zgjedhjeve” theksoi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Ai numëroi vërejtjet kyçe që janë hasur në propozim ligjin duke filluar nga ajo se Qeveria nuk ka respektuar rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së që mos të trajtohen njëjtë me Ligj të gjitha llojet e mediave.

Politika ende ka hapësirë të ndikojë në media.

“Shqetësimi më i madh qëndron në sigurimin e pavarësisë së trupit rregullator Agjencionit të mediave. Edhe pse ka rritje të pjesëmarrjes së sektorit civil në propozimin e anëtarëve të këshillit të Agjencisë, shumicën e anëtarëve të saj e propozojnë institucionet politike, Parlamenti, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL).  Ndikim më të madh politik do të ketë Këshilli i RTVM-së ku 13 anëtarë nga 10 i propozojnë institucionet publike dhe politike në këtë trup, kështu minimizohen mundësitë  që RTVM të shndërrohet në servis publik të vërtet për qytetarët” thotë Selmani.

Nuk është marrë parasysh as vërejtja për fshirjen e definicionit të gazetarit që e limiton punën e tij.

Tamara Çaushidis drejtoresha e Sindikatës së Gazetarëve tha se Qeveria me këtë ligj po i vërsulet vendit të vetëm që ka mbetur pa mbikëqyrje të tyre dhe ai është Interneti. 
Dejan Georgievski nga QZHM tha se në këtë formë ky ligj është krejtësisht i panevojshëm ndërsa e gjithë problematika me harmonizimin e direktivës së shërbimeve audio dhe audio-vizuele me atë Evropiane mund të zgjidhet vetëm me një nen të ri në Ligjin për radiodifuzion. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button