Zgjedhjet, balonë e fryrë e VMRO-së, arrogancë për të trembur opozitën

VMRO-DPMNE, i fryn balonës së zgjedhjeve të përkohshme sa herë që ka nevojë të demonstrojë fuqinë e saj dhe të luajë me zgjedhjet sa herë që ka nevojë të konsumojë atë si politikë ditore, theksojnë analistët politik për Portalb.

Koordinatori i grupit parlamentar, i VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski, pasi shtron alibi për zgjedhjet e parakohshme, arsyeton të nesërmen se deklarata e tij nuk është një balonë e fryrë, por se është nxjerrë nga konteksti.

Naser Zyberi, thotë për Portalb se deklaratat e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme kanë një porosi të caktuar.

“Bëhet përpjekje ne prag te skadimit të afateve te mandateve të bindet opozita të kthehet në parlament. Kjo është e pamundur dhe nuk do te prodhojë asnjë efekt. Opozita së paku deri tash qartë mbetet në kërkesën për formimin e qeverisë teknike. Zgjedhje mund të ketë për ata vende për tu marrë mandatet e opozitës dhe kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Zgjedhje të përgjithshme, nuk besoj se do të ketë sepse mos pjesëmarrja e opozitës në këto zgjedhje do ti bënte edhe më jo valide. Ato zgjedhje do të ishin edhe më të dëmshme”, thotë Naser Zyberi.

Analisti Petar Arsovski thotë për Portalb se VMRO-DPMNE është mësuar të luajë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas tij sa herë që kjo parti ballafaqohet me problee të ndryshme, shpëtimin e kërkon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE, vazhdimisht u ka ikur problemeve duke e ndier veten më të sigurtë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjithmonë kemi dëgjuar të njëjtat gjëra në premtimet parazgjedhore nga ana e kësaj partie, por shohim se bëhet gjithnjë e më keq. Tani është koha që vendi të kalojë një periudhë pa zgjedhje të përkohshme parlamentare”, thotë Petar Arsov.

Edhe për analistin Ibrahim Mehmeti, zgjedhjet e parakohshme duken më shumë si një lojë politike.

”Problemi është se partitë pushtet, me vetë forcën e numrave mund të bëjnë manipulime dhe kombinime të ndryshme sipas nevojës së politikës ditore. Më duket jo serioze sa herë që dëshirojnë një mesazh për të treguar forcën e tyre, zgjedhjet përdoren si një argument”, thotë Ibrahimi Mehmeti, për Portalb.

Kjo sipas tij, tregon arrogancën e partive në pushtet, dhe njëkohësisht e vërtetojnë se kanë ndërtuar një sistem të demonstrimit të forcës politike.

“Që të ketë zgjedhje të parakohshme duhet ët ketë arsye, nuk është serioze të shkohet në zgjedhje pa ndonjë arsye. Zgjedhje të parakohshme zakonisht opozita është ajo që kërkon zgjedhje”, thotë Ibrahim Mehmeti . /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button