Pse nuk ushtoi Ilirida?

Shpallja e republikës së Iliridës në sheshin Skenderbeu në Shkup këtë javë medoemos ishte ngjarja më e rëndësishme e javës për shqiptarët e Maqedonisë. Në fakt shikuar nga prizmi i iniciativave politike kjo është iniciativa politike më e madhe kohëve të fundit pasi dy faktorët politik kryesor shqiptarë, njëra që pretendon pozitën, BDI dhe tjera që pretendon opozitën PDSH, duket se moti e kanë lënë politikën. Duke mos patë ndonjë iniciativë politike, në formë të propozimit të ndonjë ligji apo iniciative politike siç do duhej të bënin së paku për të merituar cilësinë e prezantimit si organizime politike. Kjo ndoshta edhe është sqarimi i parë se pse përkundër asaj se shpallja e Iliridës ishte një iniciativë politike këto dyja nuk e panë të arsyeshme të shfaqin qëndrim zyrtar për këtë gjë. Përkundër saj se këtë e bënë dy partitë maqedonase DPMNE dhe LSDM.

Por, sqarimi ende më i nevojshëm duket se ka të bëjë me faktin se pse përkundër krejt madhësisë së kësaj ideje politike në opinion pati vetëm kaq pak jehonë, edhe ajo më shumë sporadike? Gjithsesi që faktor i rëndësishëm në mospasjen e zhurmës proporcionale për kaq ide të madhe është edhe gjendja e përgjithshme në vend duke marrë parasysh lirinë e medieve dhe apatinë e qytetarëve, por shkak më i afërt duket edhe promovimi i mangët dhe promotorët e kësaj ideje.

Se promovimi ishte i mangët mund të dëshmohet me shumë gjëra që ndodhën atë ditë dhe me më shumë tjera që nuk ndodhën. Ashtu promovimi i diçkaje me qendër në Shkup nuk u bë në qendrën aktuale të Shkupit. Ideja nuk u paraqit si komplete me ofertë të tërësishme politike kjo pasi në kësi raste edhe rregullimi politik i një pjese të tërësisë politike kërkon prezantim të zgjidhjes të tërësishme politike edhe për tërësinë. Nuk mund të kesh xhevap për Iliridën nëse nuk ke përgjigje edhe për Maqedoninë në tërësi. Nëse ajo do jetë në BE dhe NATO, çfarë është qëndrimi për emrin, a do kenë të drejta fetare në Iliridë dhe Maqedoni edhe ndjekësit e kishës së Vranishkovskit etj.

Kurse nga ato që nuk ndodhën atë ditë gjatë promovimit mund të përmblidhet më së miri në dhjetë euroshin që nuk e pati askush të ja ngjite në ballë rapsodit me çifteli, por fatkeqësisht kjo ishte një pesëqind dinarëshe?! Fatkeqësisht, pasi nëse do ishte ndonjë kartëmonedhë me euro e ngjitur në ballë apo e hedhur para rapsodit, do linte porosinë se promovimi i Iliridës ngërthen plan edhe për politikën monetare të shtetit si dhe do ndërlidhej me vetëhumbjen e sovranitetit që bën establishmenti aktual i Maqedonisë në dobi të krijimit të zonave financiare të lira, siç është e paraparë me ndryshimet e fundit kushtetuese. Ashtu u humb një argument i rëndësishëm që mund t’i parashtrohej pjesës maqedonase; pse mundet sovraniteti të braktiset për parën e huaj, e nuk mund të ndryshohet për njerëzit e tuaj?

Edhe në fund njëri prej handikapëve mund të jetë edhe tajmingu kohor dhe vet promotorët. Kjo pasi ndonëse dita përputhej me referendumin në Skoci sërish kohës së promovimit të tanishëm të Iliridës nuk mund t’i fshihej era e politikave putiniste separatiste në Ukrainë. E njëjta erë që nuk u pëlqente shqiptarëve që në promovimin e atëhershëm të Iliridës historike para njëzet viteve kur u ngjante me aromën serbo-sllave të republikave që serbët i shpallnin nëpër Kroaci dhe Bosnjë. Nuk ngjizen projektet shqiptare ndër shqiptarë nëse kanë aromë sllave.

Kurse promotorët ishin pjesë e historisë dhe i të kaluarës të shqiptarëve të këtushëm dhe me asgjë nuk ofronin shpresë për të ardhmen e tyre. Ata dukeshin tamam për nëse do ishin pjesëtarë të popullatës shumicë që moti do kishin vendin e tyre të merituar ose si përmendore në sheshin qendror të Shkupit ose në muzeun partiak afër Urës së Gurit. Fati i tyre që kanë qëlluar shqiptarë dhe kanë punë me shumë mosmirënjohës e për të cilët ja duhet mbetur ende aktiv dhe duhet bërë histori e shpallje republika, me ose pa replika.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button