De Biasi: Në Shqipëri besojnë te kualifikimi

Fitorja me Portugalinë e ka bërë trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasin, njeriun më të kërkuar në vendin e tij.

Numri një i bankinës kuqezi paraqitet në intervistën e dhënë me shprehjen “andej nga ne”, duke e etiketuar veten si një “shqiptar” përpara bashkëkombësve të tij. Fitorja me luzitanët ka kthyer vëmendjen e të gjithë botës në drejtim të tij dhe ekipit që ai udhëheq.

“Shiko, andej nga ne janë të gjithë të bindur se do të kalojmë. Kjo më shqetëson, sepse relaksimi është në karakterin e shqiptarëve, madje më shumë sesa për italianët. Jemi në një grup ferri dhe do të ndërroja të gjithë. Nuk mjafton Portugalia, por kemi në tetor sfidat me Danimarkën dhe Serbinë, kjo e fundit 15 vite pas luftës së Kosovës”, ka theksuar De Biasi.

Pas një analize të përgjithshme italiani i bankinës kuqezi ndalet të tregojë për futbollin në Shqipëri, rëndësinë që ka ky sport në vendin tonë.
“Futbolli është një faktor kënaqësie në Shqipëri. Ambienti e mbështet skuadrën. Pas çdo fitoreje ka shumë entuziazëm. Është një popull që dëshiron të jetojë, ndërsa djemtë në Tiranë dëshirojnë të kalojnë të tjerët për të rikuperuar kohën e humbur. Është një rini shpërthyese dhe e përgatitur, me një njohuri të jashtëzakonshme të gjuhëve të huaja”, ka shtuar De Biasi.

Më pas vëmendja dhe kërshëria e shtypit italian shkon për kombëtaren dhe grupin e kuqezinjve. De Biassi bëhet udhërrëfyesi për të treguar ambientin në të cilin punon.

“Shumë nga djemtë janë të lindur jashtë Shqipërisë. Ata vijnë nga realitete të ndryshme, prindërit e tyre janë larguar për të jetuar më mirë me punë të ndershme. Për ta futbolli është një mundësi e mirë. Por ka edhe nga ata që zgjedhin të luajnë për kombëtare të tjera dhe dëgjoj nga prindërit e tyre, çfarë më ofron? Konsiderata ime për fanellën e kombëtares, këtë ofroj. Të tjera gjëra për të ofruar nuk kam. Sot kush lind në Shqipëri ka një shans më shumë për të studiuar dhe punuar këtu”, ka nënvizuar De Biasi.

Lajme të ngjashme

Back to top button