Morten Olsen: Shqiptarët, njerëz të apasionuar që u zien gjaku

“Shqipëria është një skuadër me një tifozeri të zjarrtë”. Kjo është fjalia që përmbledh paralajmërimin që trajneri Morten Olsen u bën djemve të tij rreth një muaj përpara sfidës së dytë të grupit I mes kuqezinjve të De Biasit dhe skuadrës së Danimarkës që e nisi fushatën eleminatore me një sukses të vuajtur ndaj Armenisë.

Fillimisht Olsen përqëndrohet te humbja e papritur e Portugalisë në Aveiro: “Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë për mënyrën se si shkoi ndeshja e Portugalisë sepse ata janë kundërshtarët tanë direktë. Gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse zakonisht në ndeshjet e para Portugalia bën hapa falsë por më pas fillon ngjitjen”.

“Shqipëria është një vend me njerëz të apasionuar që u zien gjaku. Do të luajmë në një stadium të ri që besoj se do të mbushet plot dhe e dimë shumë mirë se sa zhurmë mund të bëjnë. Ne nuk duhet të trembemi por të frymëzohemi për të dhënë maksimumin”, vijon tekniku danez.

Edhe pse fitorja e kuqezinjve konsiderohet si surprizë nga shumë njerëz, nuk e mendon kështu tekniku danez. “E pamë edhe në Kupën e Botës që mes skuadrave të mëdha dhe të vogla ka pak diferenca. Tani edhe ekipet e vogla e kanë rritur ndjeshëm nivelin e tyre duke afruar trajnerë ekspertë dhe lojtarë që aktivizohen në kampionate prestigjoze”.

Në vijim, 65-vjeçari bën edhe një analizë për shkaqet e rritjes së skuadrave të ashtuquajtura të vogla si Shqipëria në rastin konkret.

“Të gjithë kanë një ide të qartë se si do të luajnë futboll. Ka qenë më e lehtë për të gjetur një recetë të suksesshme për të mundur ekipe të tilla por tani të gjithë kanë filluar të mendojnë edhe për fazën mbrojtëse prandaj besoj se është shumë e vështirë që të arrish rezultate pozitive”, përfundon Morten Olsen.

Takimi i “Elbasan Arena”-s do të zhvillohet në datën 11 tetor. Në përballjet e mëparshme me Shqipërinë, Danimarka ka fituar 6 nga 8 prej tyre. /albeu http://sport.albeu.com/kryetitull/morten-olsen-shqiptaret-njerez-te-apasionuar-qe-u-zien-gjaku/169323/

Lajme të ngjashme

Back to top button