Do të ndërtohet stacion filtrues për ujërat e zeza në Shkup

Përpilimi i Studimit për financim, ndërtimi dhe punë e stacionit filtrues për ujërat e zeza për Shkupin ka një rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkufitare për mbrojtjen e mjedisit të jetesës, theksoi sot ministri i Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi në nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptim midis Ministrisë, Qytetit të Shkupit dhe kompanisë “EGIS Eay” nga Franca.

“Studimi duhet të përcaktojë inkuadrimin më të mirë të financimit, ndërtimit dhe menaxhimit me stacionin për trajtimin e ujërave të zeza e cila do t’i shërbejë rreth 600.000 banorëve”, theksoi Izairi.

Ministri e falenderoi Qeverinë e Francës, si dhe Delegacionin e BE-së në Maqedoni, Bankën Evropiane dhe atë Botërore për zhvillim dhe Ripërtëritje për, siç tha, besimin e dhënë dhe përkrahjen për realizimin e projektit.

Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski theksoi se ndërtimi i stacionit filtrues për ujërat e zeza paraqet prioritetin kryesor të Qytetit që është, siç tha, angazhim disavjeçar i qytetit që në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe ministrive kompetente punon me përkushtueshmëri në drejtim të sigurimit të mjeteve dhe resurseve të nevojshme për realizimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm.

Për ambasadoren e Francës në Maqedoni, Lorens Oer ky Studim është i domosdoshëm sepse do të përfshijë trajtimin e ujërave të zeza në qytetin ku ka 600.000 banorë, por edhe industri zhvillimore dhe ku vëllimi dhe trajtimi i ujërave të zeza është pothuajse i barabartë me një qytet ku jetojnë rreth 1.000.000 banorë.

Qëllimi i projektit është që të sigurohen zgjidhje të cilësisë së lartë dhe afatgjatë me të cilat do të zgjidhjen problemet lidhur me trajtimin e ujërave të zeza dhe menxhimin e tyre në kushte me shpenzime më të vogla operative dhe për mirëmbajtje. Studimi me vlerë prej 729.900 euro është përkrahur financiarisht nga fondi për studime dhe ndihmë në sektorin privat – FASEP dhe qeverinë franceze.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button