JETË MËSUESISH

Rrinte në dhomë vetëm derisa gruaja kishte dalë ta shpenzojë një pjesë të mirë të rrogës së tij të mësuesit për t’i ble detergjentet dhe preparatet e nevojshme për një javë, së paku. Donte ta shfrytëzojë atë pak kohë deri sa t’i vinte gruaja nga pazarllëku që t’i heqë mendsh të gjitha hallet e idares  të cilat e rëndonin aq shumë. E fiku, madje edhe televizorin, sepse çdo lajm që dëgjonte a çdo imazh që e shihte ia kujtonte ndonjë problem që lidhet me banesën e tij të vjetër, e cila kërkonte shumë para për t’u rinovuar, ia kujtonte fëmijët që tashmë duhej të përgatiteshin për shkollë, pastaj ushqimi, nevojat tjera… I renditeshin të gjitha e kjo s’durohej.  Iu kthye kujtimeve: fëmijërisë së tij ku ishin plot njerëz, plaka e pleq të mirë, fshatarë e qytetarë, dasma të shumta, kohë kur edhe banorët e qyteteve merreshin me bujqësi. Ishte një jetë e cila në shiritin e kujtimeve rrëshqiste si idile: gratë e fshatit që korrnin në arat të cilat i kishin ngjyrat e pikturave të van Gogut, fëmijët që loznin para xhamisë  ishin  si fluturat shumëngjyrëshe të cilat dikur i shihje blerinave diku kah Kërçova. Ah, atje, në Kërçovë  të kishte mundësi të ishte së paku një javë vetëm, midis këtyre fluturave dhe ta dëgjonte këngën e bareshës e cila vinte nga larg, nga shullëri i malit përballë, por që do ta bënte për vete çdo njeri i cili do ta kishte fatin të ishte në këtë ëndërr.

Ndërkohë ra zilja. E priti i sigurt hapjen e derës: gruaja po kthehej me strajcat e najlonit nga vetëshërbimi, me strajca të lehta, por që kishin marrë para mjaft të rënda nga buxheti i tyre familjar. Pas një kohe dera u hap. Hyri me ngut njëri djalë, që tash po fillonte në klasën e dytë.

“Ku është nëna”? pyeti dhe pa pritur përgjigje u drejtua kah kuzhina ta marrë një copë bukë.

“Babi, a ka margarin”? u dëgjua djali nga kuzhina.

“Tash do të vijë nëna”, ia ktheu ai. “Shkoi në dyqan. Ndoshta do të blejë”.

Djali nuk bëzani. E theu një copë bukë të djeshme dhe i hodhi pak kripë përsipër  dhe duke ngrënë shpejt u gjet te dera.

“Dola, babi”, i tha dhe e përplasi derën pas vetes.

“Eu, u rrit edhe ky zog shpejt!”, tha vet me vete ai. Pastaj iu kujtua djali i tij tetëmbëdhjetëvjeçar të cilin e kishte marrë në Suedi daja i vetqë, helbete, mos e gjen ndonjë nuse me letra atje e rehatohet për vete, por edhe bën merhamet edhe për prindërit që jetojnë me ndihmë sociale për gazep. Iu përsërit e keqja që e ndiqte për të birin dhe ndjeu sikur e digjte në shpirt çasti kur heshti derisa e patën lejuar të shkonte. “Biri i babit”, i doli prej goje dhe e ndjeu se sytë po i mbusheshin me lot.

Pastaj erdhi e shoqja me dy strajca najloni në të cilat kishte detergjent nga ata më të lirët, ndonjë sapun, pastë dhëmbësh, përsëri nga më të lirat, një shishe vaj, pak oriz, një kilogram sheqer. Ajo i lëshoi  strajcat dhe u ul pranë tij.

“A vet qenke”? pyeti ajo butë.

“Visari erdhi, e mori një copë bukë e doli”.

“A more margarin”? pyeti ai.

“Jo”, tha ajo. “Pse pyet”?

“Ai i vogli kërkoi”. Të dytë heshtën pak.

“Si ndjehesh sot?” e pyeti gruaja, pas pak, duke u ulur pranë tij.

“Mirë” i tha ai dhe ia lëmoi flokët asaj.

“Po e bëj një kafe ta pimë”, tha ajo e buzëqeshur.

Derisa e rrufisnin kafenë, ajo e pyeti edhe për djalin e ndërmjetëm.

“Po, Shpresëmiri”?

“E thërritën shokët e doli”.

“Ia kam drojen Shpresëmirit”, tha gruaja. “Tash po afrohet viti shkollor. Do të shkojë në shkollë të mesme e vjet nuk na ka mësuar shumë”.

“Unë kam tjetër dert”, tha ai. “Kam frikë tash mos po merr rrugë të prapa”.

“Si mendon, të prapa”? u habit gruaja.

“Mendoj se në katër anët jemi të rrethuar nga rreziqet. Droga, përçarjet politike, përçarjet brenda fesë, diferencat e thella midis klasave, rreziqet nga urrejtja nacionale që vjen nga të tjerët”.

Asaj iu dridh dora duke ngritur filxhanin e kafesë. Desh e derdhi, për pak.

“Nuk më paska shkuar ndërmend se neve mund të na ndodh diçka e tillë! Mos o Zot! Mos o Zot”!

“Po, e dashur, e keqja vjen papritmas. Ajo godet pas shpine. Nuk i zgjedh njerëzit: të pasur a të varfër! E keqja është si vdekja!”

“Po ne jemi arsimtarë”… tha gruaja.

“Po e dashur, unë jam mësues që punoj mbi njëzet vjet në një fshat, kurse ti je mësuese e papunë… I takojmë shtresës thuajse të mjerimit. Edhe mësuesit i kursen taksirati aq sa e kursen edhe proletariatin”…

Dhomën e mbuloi një heshtje e thellë. Pastaj gruaja e mbështeti kokën në supin e burrit, kurse ai e përqafoi.

“Shtrëngomë shumë”, i tha gruaja dhe mos më lë kurrë, i dashur”.

“Deri në frymën e fundit”, i tha  burri . Pastaj ra zilja dhe të dy djemtë u futën të gëzuar në dhomë. I vogli nisi t’u tregojë barcoleta. Shpresëmiri i nguci pak prindërit:

“Hë, ju dy paskeni mbetur vetëm, a?” Djalit i shkëlqenin sytë dhe qeshte.

“Ecni te nëna”, u tha gruaja dhe të dy djemtë i bëri krye më krye me të shoqin dhe i përqafoi bashkë. “A thua kur do të na vijë Dreni”? pyeti ajo plot mallëngjim dhe që të gjithë i përqafoi edhe një herë për djalin e madh që ishte në Suedi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button