Mundësit nisen për Kampionatin Botërorë

Ekspedita e Reprezentacionit të Maqedonisë në mundje, që udhëhiqet nga seleksionuesi Lulzim Vrenezi dhe tre mundësit Jasin Rexhallari, Boban Danov dhe Dejan Mitrov, do të na përfaqësojnë në kampionatin botëror në Tashkent të Uzbekistanit, që do të zhvillohet nga 8 deri më 14 shtator.

Për mundësin Jasin Rexhallari, kjo është pjesëmarrja e parë në një kampionat Botëroë, ndërsa ai do të luftojë në kategorinë deri në 61 kg. Mundësi Dejan Mitrov është pjesëmarrës në kategorinë 65 kilogram, e Boban Danov do të garojë në kategorinë deri në 125 kilogram.

Jam në formë të mirë dhe shpresoj në rezultat pozitiv, është shprehur para nisjes për në Tashkent, Jasin Rexhallari.

“Përgatitjet e zhvilluara në Bullgari, kaluan shumë mirë. Mendoj se jam në formë të mirë dhe shpresoj që nga Uzbekistani të kthehem me rezultat të mirë. Është hera e parë që do të paraqitem në një kampionat botëror dhe shpresoj që të paraqitem sa më mirë”, – është shprehur Rexhallari.

Edhe seleksionuesi Lulzim Vrenezi është shprehur optimist dhe se nga mundësit e tij pret që së paku të jenë në mesin e 10 më të mirëve në botë, që do të ishte një arritje e lakmueshme, duke e marrë parasysh se konkurrenca në nivel botërorë është shtuar, pasi pothuajse secili shtet ka nga një mundës të natyralizuar që vjen nga ish republikat e bashkimit sovjetik.

Në ekspeditën e Maqedonisë, pos seleksionuesit dhe mundësave, do të gjenden edhe nënkryetari i Federatës Betim Vrenezi dhe Trajçe Dimkov, kryetar i komisionit profesional pranë Federatës, të cilët të dielën do të marrin pjesë në kongresin e radhës të FILA-s. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button