Inter kontaktoi 132 futbollistë, bleu vetëm katër!

Interi i ri ka bërë një merkato cilësore këtë verë dhe është gati që të luftojë për të arritur objektivat e vendosur për sezonin 2014-2015. Trajneri Walter Mazarri ua kishte bërë të qarta kërkesat e tij drejtuesve të klubit, të cilët i kanë sjellë në ekip futbollistë cilësorë si Nemanja Vidiq, Daniel Osvaldo, Jan M’Vila dhe Gary Medel.

Megjithatë, përfaqësuesit zikaltër kanë pasur një punë shumë të bollshme këtë verë, në përpjekje për të bërë goditjet e duhura. Nuk janë pak, por 132 emra me të cilët ata kanë kontaktuar dhe i kanë vëzhguar me kujdes për t’i bërë pjesë të skuadrës milaneze.

Trajneri Walter Mazarri kërkonte me ngulm një sulmues të fortë, të aftë të drejtonte Interin në takimet më të vështira. Dëshirat e tij më të mëdha ishin sulmues si Edin Xheko apo Fernando Torres. Megjithatë edhe Alvaro Morata nuk ngelej pas, teksa shikohej si investim për të ardhmen. Boshnjaku qëndroi te City, kurse Torresi është bërë qytetar milanez, duke kaluar te rivalët e qytetit, Milani.

Edhe Morata do të luajë në Serinë A, por me fanellën bardhezi. Objektiva të tjerë të skuadrës zikaltër kanë qenë edhe emra si: Iker Casillas, Negredo, Demba Ba, Destro, Luis Gustavo, Fernando, Biabani, Cerci etj.

Megjithatë, Mazarri u mjaftua me kaq. Në fund të kësaj merkatoje verore, tekniku duket i kënaqur, edhe pse do t’i duhet dhe pak kohë që të kolaudojë Interin e tij.

Tifozët, ashtu si dhe presidenti Erick Thohir, presin shumë, sepse për zikaltrit është koha të ngjiten sërish në elitë, nisur edhe nga përforcimet e këtij sezoni, të cilat nuk janë aspak të këqija.

Lajme të ngjashme

Back to top button