De Biasi, rregulla të reja për kuqezinjtë

Selektori i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka vënë disa rregulla të reja për futbollistët e ekipit kuqezi.

Nis me rregulla të reja edicioni i kualifikimeve për “Francë 2016″. Nuk bëhet fjalë për module loje, apo skema nga më të ndryshmet, të cilat stafi teknik i ka në mendje, referuar natyrisht edhe kundërshtarit, por për mënyrën se si lojtarët e Kombëtares do të qëndrojnë gjatë grumbullimeve, raporton Panorama Sport.

Kështu, edhe pse ishte bërë një ndarje paraprake e 24 të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Portugalisë, drejtuesit e federatës dhe trajneri Gianni de Biasi kanë menduar që të bëjnë përsëri ndryshime.

Arsyeja qëndron te një ide e fundit e stafit teknik të kuqezinjve për të pasur një skuadër sa më harmonike jo thjesht në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Dhe për t’ia arritur një gjëje të tillë, De Biasi ka vendosur që “të përziejë” lojtarët, duke mos i lënë këta të fundit që të qëndrojnë në dhoma sipas “qejfeve” apo dëshirave të tyre.

Gjatë edicionit të fundit (por edhe më parë), është vërejtur se pjesa më e madhe e lojtarëve fiks të Kombëtares qëndronin me të njëjtët persona gjatë grumbullimeve. Për shembull, Ansi Agollin e shihje gjithnjë me Ervin Bulkun, ose Andi Lilën me Emiljano Vilën. Apo Lorik Canën me Debatik Currin ose në mungesë të këtij të fundit, me Etrit Berishën dhe Armend Dallkun.

Por, më shumë se kaq, kjo lloj ndarjeje vërehej edhe në stërvitje të skuadrës, ku jo rrallëherë shikoje që lojtarët nga Kosova bëheshin gjithnjë bashkë, duke bërë kuadrate dhe pasime mes tyre, ashtu sikundër ata nga Shqipëria. Apo legjionarët me ata që vinin nga kampionati shqiptar.

Për ta përforcuar këtë, mjafton të kujtojmë se kjo gjë shihej edhe në ambientet e tjera, bar, apo restorant të hotelit, ku akomodohej skuadra, duke të dhënë përshtypjen e një skuadre të ndarë më dysh, e cila bëhej e njëjtë (formalisht) vetëm kur zbriste në fushën e lojës.

Pikërisht kjo gjë nuk i ka pëlqyer as presidentit të FSHF-së Duka e as trajnerit De Biasi, ndaj ky i fundit ka menduar të bëjë disa ndryshime për grumbullimin e ndeshjes me Portugalinë, i cili nis sot në Spanjë.

Tekniku italian kërkon që të mos ketë ndarje mes shqiptarëve dhe kosovarëve, duke qenë se kemi të bëjmë me një skuadër, me një qëllim, me një ideal, me një komb, një Kombëtare. Kësisoj, nga sot, kuqezinjtë që vijnë nga Kosova do duhet “të bashkëjetojnë” me ata të Shqipërisë, duke kërkuar jo vetëm të forcojnë miqësitë mes tyre, por edhe të krijojnë një grup sa më harmonik.

Lajme të ngjashme

Back to top button