Kthesë në gjykatë, dëshmitari i Zaevit foli në dobi të Gruevskit

Dëshmitari kyç në procesin gjyqësor mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev e dha dëshminë e tij sot në Shkup. Dëshmitari Jovica Stefanovski-Nini i cili u propozua nga Zaev sot dha dëshminë e tij në dobi të Gruevskit.

“As kam dëgjuar, as kam parë dhe as që i njoh personalisht Zaevin dhe Gruevskin. Asnjëherë nuk kam folur me Gruevskin për shitje të bankës. Asnjëherë nuk jam njoftuar personalisht me Gruevskin dhe Zaevin” tha Nini, transmeton Fokus.

Biznesmeni serb Nini, si dëshmitar së bashku me Den Donçev, u propozua dy muaj më herët nga mbrojtja e Zaevit. Atëherë gjykata tha se nuk e pranon Donçev si dëshmitar ndërsa për Ninin tha se do të vendos në mënyrë plotësuese pasi që nuk ia kanë ditur adresën.

Në këtë proces gjyqësor, gjykata si dëshmi nuk e pranoi xhirimin në të cilin thuhet se lidhet marrëveshje për shitjen e “Bankës së Maqedonisë” pasi që Prokuroria vlerësoi se xhirimi është bërë pa urdhër të ndonjë organi hetimor.

Zaev para pesë muajve e akuzoi kryeministrin Gruevski se ai personalisht është marrë vesh me biznesmenin e thirrur “Gazda Nini” për ta shitur “Bankën e Maqedonisë”. Sipas Zaev, gjatë shitjes, kryeministri ka përfituar 1,5 milion euro.

Për këtë akuzë, kryeministri Gruevski e paditi Zaevin dhe kërkon 500.000 euro dëmshpërblim.

Lajme të ngjashme

Back to top button