Fan Noli mbronte mbulesën islame!
Në bisedimet e Këshillit Kombëtar‚ më 1o mars 1923‚ Ali Këlcyra propozoi të vendosej heqja e mbuleses se grave myslimane. Në favor të propozimit të Ali Këlcyrës ishin Faslli Frashëri e Bedri Pejani ndërsa kundër Shefqet Daiu‚ Jusuf Banka‚ Koço Tasi‚ Osman Haxhiu‚ Visar Xhuvani‚ Xhemal Bushati‚ Sejfi Vllamasi‚ Ibrahim Xhindi e Imzot Fan Noli.
Në diskutimi e tij Noli theksoi: “ Nuk dua të hyj në esencë të çështjes pse kjo është një cështje e cila duhet zgjidhur prej Vëllezërve tonë muhamedanë edhe as nuk duhet të trazohemi në punë të tyre.
Vetëm dua t’i heq vërejtjen Z. Ali Këlcyrës‚ se nuk është parë në historinë e botës që një gjë e tillë të jetë shkaktue nga anë e Qeverisë‚ Parlamentit apo kongresit. Zakonet e mbulimit të gruas nuk i kanë pasë vetëm popujt e besimit muhamedan por edhe popujt e krishterë‚ e se po të shikojmë librat e Sh. Palit‚ do të shohim se mbulesa e gruas ka qënë një mëkat më i madh; e këto zakone i kanë pasë edhe Bizantinët e Venezianët.
Në të gjithë popujt Evropianë grat kanë dalë me një farë veli shumë më të shpeshtë se këtu. Megjithë këtë nuk kemi pa asnjë urdhër asnjë sinodë me të cilën të jetë shkaktue zbulimi i gruas; ky zbulim ka ardhë vet-vetiu e evolucioni social ka sjellë ndrrimin gradual të zakoneve të shoqnis e se ato ndrrime që kanë ardhë gjetkë do të vijnë edhe këtu.
Se‚ a duhet të dali gruaja e zbuluar apo e pazbuluar‚ kjo nuk na intereson shumë‚ por duhet të na heqë vërejtjen gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet gruaja shqiptare edhe për këtë do t’u sjel’e një shëmbull se sa heqi edhe ato gra që janë të zbuluara.
Kur kam vajtur nga Vlora në Tepelenë‚ Elbasan e Tiranë e gjetkë kam pa katundarka të zbuluara të cilat punojshin e mundoheshin si shtaza sa të vjen me qa‚ kurse burrat e tyne rrinin pa punë ‘ dhe prisnin që për cdo gjë t’u ngriheshin në këmbë ato të mjera…“.