REBALANCI I BUXHETIT: projektet sipas çelësit etnik – vetëm premtim në letër?

Edhe një buxhet, kësaj radhe i rebalancuar, me gjasë do të miratohet pa debat kuvendor. Pas opozitarëve të LSDM-së, edhe partia e Menduh Thaçit paralajmëron se do të dalë nga Kuvendi pas rrahjes në Komisionin për financim dhe buxhet. Në ndërkohë, mbi 200 amandamente të propozuara nga PDSH-ja, u refuzuan me shpejtësi, gjegjësisht nuk e kaluan filtrin e parë kuvendor.

Projektet sipas çelësit etnik – vetëm premtim në letër?

Në vend që të hapen çështjet për atë se si do të harxhohen paratë e qytetarëve dhe të biznesit deri në fund të vitit, si planifikon qeveria ta financojë deficitin e thelluar buxhetor, cilat projekte deri tani janë përfunduar, pse nga dënimet dhe gjobat planifikon të mbledhë 100 milionë euro, në Kuvend, si duket do të kemi miratim edhe të një buxheti pa debat. PDSH-ja opozitare, siç paralajmëroi lideri i saj, Menduh Thaçi, gjendet para marrjes së vendimit përfundimtar për lëshimin e Kuvendit pas rrahjes ndërmjet deputetëve. Ndeshja e boksit përfundoi, Komisioni amë për financim dhe buxhet vazhdoi me punë. Shumica parlamentare në mënyrë eksprese i refuzoi të gjitha 236 amandamentet e opozitës për buxhetin e rebalancuar. Pjesa më e madhe e këtyre amandamenteve ishin pikërisht të opozitarëve nga PDSH-ja.

“Te ne vite me radhë u bë pothuajse rregull që amandamentet e opozitës të mos pranohen. Nuk besoj se opozita nuk e di se çka propozon, por në pyetje është shumica e cila vendos se cilat amandamente do të pranohen e cilat jo. Çështja e shpërndarjes së mjeteve buxhetore sipas çelësit etnik, te partitë shqiptare në vend është ngritur në nivelin më të lartë. Besoj se shumë projekte që i propozojnë partitë shqiptare janë të arsyeshme dhe janë me dobi të përgjithshme, mirëpo deri tani për propozimet e tilla nuk ka pasur mirëkuptim”, thotë për “Portalb”-in profesori Sami Bislimi dhe shton:

“Krijohet përshtypja (te shumica e popullatës shqiptare) se edhe ato projekte pranohen ose shtyhet realizimi i tyre, ose pranohen mirëpo asnjëherë nuk realizohen. Unë nuk mendoj se projektet me karakter publik mund të ndahen sipas ndonjë çelësi etnik, mirëpo zgjidhja për çështjet e tilla është qasja drejt të ashtuquajturit decentralizimi i mirëfilltë fiskal, me ç’rast çdo njësi e vetëqeverisjes lokale, në bazë të të ardhurave që i ka, do të fillojë me realizimin e projekteve që janë me interes për popullatën lokale.”

Deputetët e bllokut opozitar shqiptar, rebalancin e propozuar e vlerësuan si antishqiptar dhe diskriminues, me të cilin nuk do të pranohen projekte në rajone dhe komuna me shumicë popullatë shqiptare.

“Ne gjithnjë e më shumë fundosemi në gropë, e ata na thonë se jemi gabim  -ju çojmë në Evropë”, tha deputeti Bekim Fazliu nga radhët e PDSH-së.

Në mungesë të debatit kuvendor për atë se si dhe për çka do të harxhohen 2,8 miliardë euro, para buxhetore, ekspertët ekonomikë hapën disa dilema. Me rebalancin e buxhetit qeveria i zvogëlon të ardhurat dhe shepnzimet për 2%, me ç’rast siç deklaroi ministri për finaca Zorann Stavreski, shkurtohet njësoj nga të gjitha ministritë. Numrat tregojnë se në anën e shpenzimeve zvogëlohen paratë për rroga, për mallra dhe shërbime, për sbuvencione, për shpenzime kapitale, ndërsa rritje ka në linjën e transfereve sociale e cila arrin vlerën prej pothuajse 1,3 miliardë euro. Këto pozita të reja, propozuesi i rebalancit i shënoi si “mini-rebalanc” qëllmi i të cilave ka qenë që të sigurohen 17 milionë euro plotësuese për realizimin e projektit Demir Kapi – Smokvicë.

“Bëhet fjalë për mini-rebalanc, i cili do të mundësojë pagesa në kohë ndaj shfrytëzuesve buxhetorë, pagesë në kohë të rrogave dhe të pensioneve, të kompensimeve sociale, të subvencioneve ndah bujqve, si dhe realizim të investimeve të parapara kapitale”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri për financa, Zoran Stavreski para deputetëve.

Megjithatë, në arsyetimin se pse qeveria e bën rebalancin, si shkaqe përmenden edhe transferet e rritura nga buxheti në llogari të Fondit për sigurim pensional që të mund të sigurojë pagesë në kohë të pensioneve. Mu për këtë reaguan nga LSDM-ja opozitare.

“Qeveria e arsyeton rritjen e një pjese të deficitit buxhetor me nevojën për para për ndërtimin e projektit kapital Koridorit 10. Por, nga ana tjetër, me rebalancin, ajo i zvogëlon paratë për projektet kapitale për 21 milionë euro të tjera. Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2014, qeveria paralajmëroi investime kapitale, e tani i shkurton paratë për to, gjë që i konfirmon politikat manipulative. E ftojmë n buxhetor? A janë ato nevojat për projekte kapitale ose mbulimi i zbrazëtirës në Fondin për sigurim pensional?” – pyet Marjanço Nikollov nga LSDM-ja.

Që t’i realizojë të ardhurat e planifikuara, kur ka të hyra të zvogëluara, qeveria me këtë rebalanc do ta rrisë zbrazëtirën në arkën buxhetore, deficiti prej 3,5% i PBB-së rritet në 3,9% të PBB-së. Mu deficiti buxhetor është sinjal për marrje të huave të reja të cilat do të nevojiten për t’u mbuluar kjo saldo negative në arkën buxhetore.

“Çdo rritje e deficitit buxhetor ka ndikim mbi rritjen e borxhit, si në vlerë absolute ashtu edhe në vlerë relative, veçanërisht nëse dihet se vite me radhë, përqindja e deficitit buxhetor është mbi nivelin e përqindjes së rritjes ekonomike. Në qoftë se qeveria është e vendosur që deficitin buxhetor ta mbajë në nivelin prej 3,9%  deri në fund të vitit, atëherë do të duhet ta zvogëlojë, ta harmonizojë edhe harxhimin e mjeteve buxhetore, në përputhje me vlerat e projektuara me rebalancin e buxhetit. Në të kundërtën, do të ballafaqohet me përqindje të rritur të deficitit të buxhetit. Ka edhe një mundësi për ruajtjen e nivelit aktual të shpenzimit (joligjor) të mjeteve buxhetore, në qoftë se veprohet sipas logjikës, harxho sot, e faturimi të bëhet në vitin e ardhshëm buxhetor, që nuk besoj se do të ndodhë.” – thotë profesori Bislimi.

Në ndërkohë, huaja e re prej gjysml miliardë eurosh, paratë që do të harxhohen edhe për mbulimin e deficitit tashmë të projektuar më të lartë buxhetor e rritën borxhin publik në vlerën më të lartë deri tani prej 40,8% të PBB-së.

Nga qeveria thonë se edhe me këtë përqindje të ngarkesës me borxh, vendi mbetet në zonën e ngarkesës së matur me borxh dhe se nuk është rrezikuar kondicioni financiar i ekonomisë. Për këtë vit, qeveria projektoi edhe rritje më të madhe ekonomike prej 3,9%. Projektimet janë një gjë, e realizimet diçka krejtësisht tjetër thonë ekonomistët.

“Të projektohet përqindje më e lartë ekonomike është dëshirë e arsyeshme, mirëpo që të arrihet kjo duhet të investohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese (zgjerimin e mundësive prodhuese) të ekonomisë vendore. Në qoftë se shihet pjesëmarrja e sektorëve të veçantë të ekonomisë vendore, do të jetë më e qartë se ekonomia vendore ballafaqohet me problemin e rritjes së ulët në sektorin real, i cili konsiderohet si shtytës i rritjes së përgjithshme ekonomike. Neve na duhet përqindje më e lartë e rritjes së këtyre sektorëve të ekonomisë vendore të cilat ofrojnë mallra dhe shërbime reale” – vlerëson profesori Bislimi.

A do të qëndrojë qeveria në pozitat e reja të shpenzimeve buxhetore, të rritjes ekonomike, të investimeve kapitale do të analizohet në fund të vitit ekonomik 2014. Sipas një pjese të ekonomistëve që i konsultoi “Portalb”-i nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe një rebalanc tjetër të buxhetit deri në fund të vitit.

Lajme të ngjashme

Back to top button