Të rrahur e të vrarë

Kushedi për të satën herë dëshmohet se neve e keqja nuk mund të na befasoj, por vetëm e mira. Pasi e mira këtu mund të ndodhë vetëm për nga një rastësi e madhe. Rrahja e deputetëve shqiptar në parlament, në situatë normale nuk do të ishte ndonjë tragjedi, pasi të tillë ndodhin në shumë vende të botës. Më së shpeshti ata ndodhin për çështje banale. Por, te ne ku punët janë afër pikës së vlimit, incidentet nuk mund të jenë nga çështjet banale, por ata burojnë nga deformime të rënda të institucioneve dhe sistemit në tërësi.

Ata janë produkt i një politike skajshmërisht të retarduar, e cila nuk zgjedhë mjete për forcimin e totalitarizmit në vend me qëllim të vazhdimit me grabitjet historike të të mirave të përgjithshme. Incidentet janë epilog logjik i një politike të mbrapshtë që papërgjegjshëm ka suspenduar institucionet, politike e cila gjithë kohën shkelë mbi vlerat themelore të demokracisë dhe e cila totalisht ka demonizuar ambientin plural politik në vend. Tani, as shpezët nuk besojnë në atë se parlamenti është shtëpia më e lartë e qytetarëve, pasi ai në fakt shumë më tepër ngjason në një servisi të krimit të organizuar.

Mos pasja demokraci, rend dhe drejtësi në shtet, ka bërë që këtu tejmase të zhvillohen antagonizmat dhe përçarjet. Njerëzit më tepër se kurdoherë janë ndarë në çfarëdo baze. Ndarja në baza etnike e fetare tani rangohet më poshtë krahasuar me ndarjen e tanishme të thellë në patricë dhe plebej. Të parët s’dinë çka me paratë, kurse të dytët s’dinë çka me jetën. Të parët s’punojnë asgjë e kanë gjithçka, kurse të dytët punojnë gjithçka e s’kanë asgjë. Të parët frikohet nga vdekja, kurse të dytët frikohet nga jeta. Disa janë në liri a duhet të jenë në burgosje, kurse tjerë janë në burgosje  a duhet të jenë në liri. Të parët fluturojnë lartë, kurse të dytët mbyten thellë. Sa më luksoze jeta lartë, aq më mizore poshtë. Sa më të pasur ata lartë aq më të varfër ata poshtë. Kështu tani jemi shndërruar në shoqëri përplot me urrejtje, pa komunikim e as dialog. Përveç nëse si dialog i konsiderojmë rrahjet, por me mjete tjera. Kështu, si duket ne vet dëshirojmë të mbytemi në ujëra të cekta të pushtetit.

Në këso konstelacionesh, lirisht mund të themi se parlamenti ynë i ngjason një arene gladiatorësh ku të nënshtruarit janë të detyruar të luftojnë për jetë apo vdekje që t’i kënaqin epshet e klasës sunduese dhe eprorëve të tyre. Në fakt, atë që ndodhë jashtë parlamentit reflektohet edhe brenda tij. Shohim se sa nënçmohen disa intelektual që të fitojnë ndonjë projekt si një koskë?! Shohim se si ligohen shkrimtarë që t’u botohet ndonjë libër?! Se si shumë biznesmenë luten e zvarriten, të frikësuar që mos të merren sysh nga pushtetit që shkakton vdekjen financiare?! Si duket më shumë vet preferojnë (jo)logjikën që dorën që s’mund ta rrëzosh duhet ta puthësh. Pushteti vazhdimisht blenë gazetarë, profesorë, arsimtarë, mjekë, bankier, bukëpjekës, bujq, zanatçinj e çka jo?! Madje i blenë me para që u takojnë vet tyre. Particët për shtatë vite nga shteti tërhoqën 4,6 miliardë euro, aq sa u ishin vjedhur plebejve. Tani shteti që ka dyfish buxhet më të lartë se tetë vite më parë, ka dyfishuar vogegsinë dhe ka dyfishuar borxhin publik. A si defokusim, me ndihmën e mediumeve të koruptuar ai sistematikisht prodhon depresion dhe në mënyrë të programuar shkakton polarizime, rrahje dhe konflikte. Nga një pushtet jonormal as që mund të priten punë normale, pasi ai nuk jeton me normalen. Tani parlamenti, jo vetëm që as një mikron nuk paraqet kontrollues të qeverisë, por aq më keq, ai është shndërrua në një orkestër të deformuar rrugësh më të cilin dirigjojnë kleptokratë me mendje të sëmurë. Në gjithë këte, njerëzit sikur dëshirojnë të mbeten të verbëruar, kurse në shtetin ku gati të gjithë janë të verbër, ai me një sy është i pari. Atje pabesueshmërisht të thjeshtit shiten si thjeshtë të pabesueshëm.

Opozita bashkë me shumë struktura, duhet të bind opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se këtu me suspendimin e institucioneve në fakt është realizua një grushtshtet i heshtur. Se ligjërisht do të duhet të përgjigjen të gjitha ato struktura dhe individ që kanë përkrahur grushtetin. Në këso mënyre ajo do të fitoj kredibilitet që ta rrëzoj pushtetin me të gjitha mjetet, i cili as që mund të bien ndryshe. Opozita do të duhet të kuptoj se atje ku nuk ka beteja nuk mund të ketë as fitore. Kurse njerëzit do të duhet të kuptojnë se trimat vdesin vetëm njëherë, kurse qyqarët vdesin çdo ditë. Të rrahur apo të vrarë.

Burimi- Inbox-7

Lajme të ngjashme

Back to top button