Shqiptarët e plagosur në Siri kthehen për t’u mjekuar në Shqipëri

Disa prej shqiptarëve pjesëmarrës në luftën e Sirisë rezultojnë të jenë kthyer në Shqipëri pasi kanë mbetur të plagosur në front. Janë të paktën 6 xhihadistë shqiptarë të plagosur gjatë luftimeve të përgjakshme, të cilët janë kthyer në Shqipëri për t’iu nënshtruar kujdesit mjekësor.

Autoritetet shqiptare kanë mundur të identifikojnë të gjithë të plagosurit, një pjesë e të cilëve tashmë e kanë përfunduar mjekimin dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Vetëm njëri prej luftëtarëve shqiptarë ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet duke u mjekuar në një spital të Greqisë. I plagosuri me inicialet E. D., ka marrë një plumb në nofull dhe një në trup gjatë luftimeve në Siri dhe më pas është transportuar nëpërmjet kufirit me Turqinë në spitalin e Larisës në Greqi. Shqiptari i plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Por ndryshe nga E. D, të paktën pesë shtetas shqiptarë gjithashtu të plagosur në luftime, rezultojnë të jenë kthyer dhe mjekuar në vendin tonë. Ata janë B. S., M. D., A. Z.,G. Ç. dhe E. D., të larguar në Siri përgjatë vitit 2013. Një pjesë e tyre vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa disa të tjerë tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime të rezervuara pohojnë se të gjithë shqiptarët e plagosur janë mbajtur nën mbikëqyrje nga policia, e cila kontrollon të gjitha veprimet dhe takimet e tyre nga frika e rekrutimeve të reja në Siri e veçanërisht në radhët e luftëtarëve të ISIS, të cilët kontrollojnë një pjesë të mirë të Irakut.

Të gjithë personat e plagosur në Siri do të merren në pyetje nga prokuroria, e cila ka nisur një hetim lidhur me veprimtarinë e disa të dyshuarve shqiptarë që rekrutonin të rinj, që më pas dërgoheshin në luftën e Sirisë. Për këtë çështje prokuroria ka arrestuar disa persona, mes të cilëve edhe dy imamë xhamish në Tiranë, që dyshohet se kanë patur rol aktiv në rekrutimin e shqiptarëve që dërgoheshin në luftën e Sirisë. Deri tani prokuroria ka identifikuar rreth 60 shqiptarë që kanë shkuar për xhihad në Siri, disa prej të cilëve janë vrarë dhe të tjerë kanë mbetur të plagosur, shkruan Mapo.

Besohet se numri i shqiptarëve xhihadistë është rreth 300, por të identifikuar janë të paktën 60 persona. Mes tyre ka gra dhe fëmijë, pasi një pjesë e shqiptarëve janë larguar drejt Sirisë familjarisht. Frika më e madhe e autoriteteve shqiptare është bashkimi i shqiptarëve me luftëtarët e ISIS, të cilët akuzohen për masakra të përgjakshme gjatë përparimit të tyre në territorin e Irakut. Mes luftëtarëve të ISIS ka edhe shumë shqiptarë të Kosovës, që drejtohen nga Lavdrim Muhaxheri, për të cilin mediat pakistaneze raportuan se është vrarë gjatë luftimeve të ditëve të fundit.(MAPO.al)

Lajme të ngjashme

Back to top button