ANALIZË: Sa janë të pasur ministrat e rinj në kabinetin e vjetër-të ri qeveritar

Banesa në Prishtinë, Selanik, Shkup, Strugë. Prindër të pasur, llogari të mbushura plot dhe të zbrazëta bankare. Laramani në fletat anketuese të ministrave të rinjë dhe të vjetër në kabinetin aktual qeveritar. Pasi javën e kaluar i publikoi detajet për gjendjen pronësore të një pjese të deputetëve, tani “Portalb”-i publikon se çfarë prone kanë ministrat.

Abdylaqim Ademi, ministër për arsim

Gjykuar sipas fletës anketuese, ai është një nga ministrat më të pasur, por megjithatë pa kulm të vetin mbi kokë. Ministri Ademi në emrin e tij personal ka paraqitur automobil të tipit Polo Klasik të viti 1997, por edhe një veturë të re të blerë në vitin 2013, të tipit Seat Leon 1.6 TDI me vlerë prej 18.500 еurosh. Ademi posedon librezë kursimi në denarë dhe kartelë pagesore në denarë, të cilat sipas fletës anketuese janë të zbrazëta, si dhe llogari transaksionale ku e merr rrogën mujore. Në fletën anketuese figuron edhe një kredi prej 10 mijë eurosh. Për dallim nga ministri, prindërit e tij janë të pasur. Posedojnë shtëpi, tokë bujqësore, automobil, makineri. Sipas të dhënave, prindërit e Ademit kanë shtëpi në Tetovë me vlerë prej 32.500 europ, shtëpi në ndërtim, poashtu në Tetovë, me sipërfaqe prej 240 metrash katrorë për të cilën nuk ka të dhëna se sa kushton, pastaj tokë bujqësore në Jegunovcë me vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, automobil me vlerë prej tre mijë eurosh, makina dhe pajisje në vlerë prej rreth tetë mijë eurosh.

Аdnan Jashari, ministër për drejtësi

Ky ministër në kabinetin e ri-të vjetër të qeverisë, sipas fletës anketuese nuk ka shtëpi të veten, mirëpo së bashku me bashkëshorten kanë në pronësi hapësirë afariste. Në fakt, në emrin e tij ministri Jashari ka paraqitur hapësirë afariste në Shkup me vlerë prej 60.000 еurosh ndërsa bashkëshortja e tij poashtu posedon hapësirë afariste në Gostivar me vlerë të paraqitur prej 50.000 еurosh. Prindërit e Jasharit kanë shtëpi në Debresh me vlerë prej 30.000 еurosh dhe tokë bujqësore me vlerë prej 15.000 еurosh. Në fletën anketuese të ministrit për drejtësi janë paraqitur dy automobila me vlerë të përgjithshme prej 4.500 еurosh (Golf 4 dhe Мercedes klasi C 2002). Ministri ka paraqitur edhe kredi prej 60.000 еurosh dhe hua prej 10.000 еurosh.

Bekim Neziri, ministër për ekonomi

Ky funksionar i cili e zëvendësoi pozitën e drejtorit në Fondin për sigurim pensional me atë të ministrit për ekonomi, mund të numërohet në mesin e ministrave më të pasur. Ai posedon banesë, hapësirë afariste, tokë, e poashtu ka edhe të ardhura nga qiraja. Kështu, ministri Neziri ka paraqitur se ka banesë prej 180 metrash katrorë në Shkup me vlerë prej rreth 78.000 eurosh, hapësirë afariste prej 63 metrash katrorë poashtu në Shkup, me vlerë të paraqitur prej 25.300 еurosh, tokë me vlerë prej rreth 10.000 eurosh. Ministri Jashari fiton nga një mijrë euro në muaj nga qiraja, mirëpo në emrin e tij ka tre kredi bankare, ndërsa ka paraqitur edhe një hua. Në emrin e bashkëshortes, ministri ka paraqitur automobil të tipit Peugeot 207 të vitit 2010, me vlerë prej pothuajse 12.200 еuro.

Visar Fida, ministër pa resor

Ministri i ri, sipas pronës që e ka paraqitur në fletën anketuese, vlen si një nga më të pasurit, pasi përveç në Maqedoni, posedon pronë edhe në Greqi dhe Kosovë. Kështu, Fida ka paraqitur se në emrin e tij ka banesë prej 150 metrash katrorë në Selanik me vlerë prej 300 mijë eurosh, të blerë në vitin 2008, banesë në Shkup me sipërfaqe prej 130 metrash katrorë dhe vlerë të paraqitur prej 100 mijë eurosh, ndërsa bashkëshortja e tij posedon banesë në Prishtinë me vlerë prej 120 mijë eurosh, apo ministri dhe bashkëshortja e tij disponojnë me pronë të patundshme që ka vlerë mbi gjysmë milionë euro. Poashtu, ministri ka edhe tokë në Dibër me vlerë prej 15.000 еurosh. Në fletën anketuese, ministri ka paraqitur se prindërit e tij posedojnë banesë në Strugë prej 38 metrash katrorë. As llogaritë e tij bankare nuk janë të zbrazëta. Në librezat e kursimit në deviza dhe në denarë ruan 10 mijë euro dhe 800 mijë denarë, ndërsa në llogarinë bankare të gruas së tij në Bankën Raiffeisen në Prishtinë ka 60.000 еuro. Ministri Fida ka paraqitur se ka kredi prej 50.000 еurosh.

Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër i qeverisë

Fatmir Besimi, zëvendëskryeministri i ri – i vjetër i qeverisë, i angazhuar me çështjet evropiane, njeriu i cili në vazhdimësi është në pozita të larta ministrore në pushtet, në emrin e tij personal edhe më tutje nuk ka asnjë patundshmëri. Sipas fletës së re anketuese, Besimi nuk ka shtëpi, banesë e as automobil. Nga patundshmëritë, si pronë e përbashkët me bashkëshorten, ka paraqitur shtëpi prej 410 metrash katrorë në Shkup, vlera e së cilës është 219 mijë euro. Në fletën anketuese qëndron vetura e tipit Opel Astra në emër të bashkëshortes, pastaj vetura e vëllaut të tij dhe e prindërve të tij, të cilët posedojnë shtëpi, tokë ndërtimore dhe bujqësore në Tetovë. Në fletën e re anketuese nuk figuron hua e dhënë prej 4.000 eurosh dhe kamata për depozitin prej 1.000 eurosh të cilat ishin të shënuara në fletën paraprake anketuese. Si borxh i përbashkët është paraqitur edhe kredia në vlerë prej rreth 80 mijë eurosh.

Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër i qeverisë

Gjendja pronësore e zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi është pa ndryshime. Sipas fletës anketuese, zëvendëskryeministrit i qeverisë edhe më tej nuk ka pronë të patundshme në Maqedoni. Sipas asaj që e ka paraqitur në fletën anektuese, ai posedon banesë prej 80 metrash katrorë në Ferizaj të Kosovës, me vlerë prej rreth 41.000 eurosh. Si pronë në emër të prindërve ka paraqitur tokë bujqësore në Zajaz, ndërsa si pronë të bashkëshortes, veturë prej rreth 7.000 eurosh si dhe të ardhura mujore nga një sigurim zviceran prej 1.800 еurosh. Zëvendëskryeministri Xhaferi posedon pesë llogari bankare, me ç’rast kursimet e tij janë rrteh 30 mijë euro dhe 25 mijë franga zvicerane.

Talat Xhaferi, ish-ministër i mbrojtjes, deputet aktual

Nuk ka ndryshim as në fletën anketuese të ish-ministri për mbrojtje, deputetit aktual në përbërjen e re parlamentare. Ai edhe më tej vozit Audi А4, vlera e së cilës nuk figuron në fletën anketuese. Xhaferi në emrin e tij ka paraqitur banesë prej 46 m2 në lagjen Çair në Shkup, me vlerë prej 34.600 eurosh dhe shtëpi prej 340 m2 në fshatin Forinë, në vlerë më të madhe se 178 mijë euro. Në emër të bashkëshortes së tij, Xhaferi ka paraqitur edhe rrogë mujore prej 17.000 denarësh. Sipas fletës anketuese, ministri nuk posedon asnjë llogari bankare.

Lirim Shabani, ministër për vetëqeverisje lokale

Ministri i ri në përbërjen aktuale qeveritare posedon banesë prej 92 metrash katroro në Shkup, me vlerë të paraqitur prej 62 mijë eurosh. Në fletën anketuese është paraqitur edhe prona e prindërve, të cilët në Likovë posedojnë shtëpi, oborr dhe kopsht me vlerë të përgjithshme prej 122 mijë eurosh. Ministri vozitet në automobil të tipit Volkswagen Golf 4 me vlerë prej 4.000 еurosh.

Si pjesë e kabinetit të mëparshëm qeveritar ishin edhe ministri për drejtësi, Blerim Bexheti, dhe ai për ekonomi Valon Saraçini. Të dytë, nga ajo që e kishin paraqitur, ishin ministra pa kulm mbi kokë, gjegjsësisht as njëri e as tjetri nuk kishin shtëpi apo banesë të veten. Në fletën anketuese të ish-ministrit për ekonomi shkruante se ai ka prindër të pasur, në emrin e të cilëve kishte paraqitur dy shtëpi, një në Shkup me sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë me vlerë prej 200.000 eurosh, dhe e dyta në Ulqin të Malit të Zi, me sipërfaqe prej 320 metrash katrorë dhe vlerë prej 180.000 eurosh. Në emër të prindërve, ish-ministri kishte paraqitur edhe dy automobila me vlerë të përgjithshme prej 8.800 eurosh./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button