Raporti i Ministrisë: Ja pse u mbyllën universitetet “Gjon Buzuku”, “Medicom” dhe “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”

Ministria e Arsimit ka publikuar raportin me shkeljet ligjore të tre universiteteve private që u është hequr licenca, përkatësisht “Gjon Buzuku”, “Medicom” dhe “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”. Ministria e Arsimit, në raportin e publikuar prej saj, ka evidentuar se të tri institucionet private nuk kanë pasur garanci bankare të ngurtësuar, në mënyrë që të garantonin vazhdimësinë akademike të tyre apo të kompensonin studentët në rast se do të likuidoheshin apo falimentonin. Të tri universitete kishin staf akademik të pakualifikuar, fakultetet që nuk ekzistonin deri edhe godina, si ajo e “Medicom”-it në Fier dhe numri i ulët i studentëve. Regjistrat dhe kontratat e mbajtura jashtë kritereve ligjore, ishin të tjerë elementë.

Universiteti i Shkodrës, “Gjon Buzuku”

“Gjon Buzuku” i Shkodrës ka plotësuar 16 nga 37 kritere. Ky universitet është licencuar dhe është pajisur me leje për zhvillimin e veprimtarisë sipas një strukture të përbërë nga 2 fakultete, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike; për Fakultetin Ekonomik, të cilin IAL e deklaron si pjesë përbërëse të strukturës institucionale, nuk ka vendim në lidhje me hapjen/licencimin e tij, por vetëm të disa programeve, në të cilat nuk ka studentë të regjistruar për dy vitet e fundit akademike 2012-2013 dhe 2013-2014. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike është inaktiv. Departamentet /njësitë e kërkimit shkencor nuk përmbushin kriteret mbi numrin dhe kualifikimin e stafit akademik. Aktualisht institucioni ka funksional vetëm Fakultetin e Drejtësisë me një përbërje prej 3 departamentesh, në të cilët: nuk plotësohet numri minimal i personelit akademik efektiv (7); nuk kanë të paktën 3 nga këta me tituj dhe grada shkencore; nuk respektohet kriteri për shkallën e kualifikimit të personelit të brendshëm/efektiv; përgjegjësit e Departamenteve janë personel akademik i jashtëm. Infrastruktura e IAL nuk përmbush kriteret e parashikuara në Udhëzimin nr. 11, datë 18.02.2011 sa i takon afatit të kontratës së qirasë së objektit (njëra prej godinave ka kontratë qiraje 1 vjeçare, dhe jo minimalisht 3 siç përcaktohet në legjislacion); Normativave të ndriçimit në auditore; Pajisjes së objektit me Akt-Teknik kundër mbrojtjes nga zjarri.

Kontrata

Kontrata e lidhur ndërmjet IAL dhe studentit nuk shoqërohet me dokumentin mbi Performancën e shkollës, siç parashikohet në Shtojcën 4, pika 4 të Udhëzimit Nr. 11, dt 28.02.2011. Kontrata e lidhur mes IAL dhe pedagogut të jashtëm nuk ka afat të përcaktuar. Janë bërë reklama ku paraqiten të dhëna të pavërteta ose çorientuese, të cilat ndikojnë mbi zgjedhjen e studentit/es dhe që rezultojnë në dëm të konsiderueshëm të tij/saj. Në regjistrat themeltar të IAL u evidentua që datat e regjistrimit të studentëve, për disa programe dhe vite akademike, nuk janë sipas rendit kohor. Gjithashtu, IAL ka bërë regjistrime studentësh jashtë afatit të përcaktuar, në kundërshtim me Udhëzimet e MAS. Regjistrat Themeltar nuk përmbajnë elementët e sigurisë, si Kodi Unikal i gjeneruar nga AKP. Në dosjet e studentëve u vërejt mungesë dokumentacioni.

Kolegji “Medicom”

Mbyllja e Kolegjit “Medicom” ka ardhur për faktin se, nga 37 kritere ligjore, ka shkelut 17. Ai ka nisur aktivitetin një vit para pajisjes me leje për ushtrim të veprimtarisë akademike, në kundërshtim me ligjin. Ky kolegj paraqet një strukturë për të cilën nuk ka miratim nga MAS, ka mospërputhje ndërmjet emërtimit në liçensim dhe atij të përdorur prej atij vetë. Nuk përmbush kërkesat për arsimin e lartë, pasi organizohet me dy njësi bazë në Fakultetin Mjekësor dhe një qendër që nuk ka personal akademik dhe nuk është funksionale. Departamentet e njësive të kërkimit shkencor të fakultetit nuk kanë numrin minimal të personalit akademik efektiv. Nuk kanë të paktën 3 nga këta me gradë shkencore. Infrastruktura nuk përmbush kriteret ligjore. Për filialin e Fierit, nuk gjendej godina. Në 31 maj 2014, gjatë kohës së inspektimit, Këshilli i Fakultetit ka nxjerrë një vendim për pezullim të filialit të Fierit pa mbaruar viti akademik. Filialet Korçë, Elbasan e Shkodër të Kolegjit profesional “Medicom” nuk kanë sistem ngrohjeje dhe ftohjeje. Për transferimin e godinës së Kolegjit në Tiranë nuk ka njoftuar MAS-in. Janë deklaruar të rreme pranë institucioneve shtetërore. Brenda katër muajve ka deklaruar të dhëna të ndryshme për numrin total të studentëve që disponon.

Kontrata

Në janar deklaron 136 studentë, në prill 300. Ka ndryshime në raportime për numrin e stafit dhe të dhënave faktike të kontrollit. Deklaron me gradën “Doktor” disa pedagogë të personelit, për të cilët nuk gjendet asnjë doktoraturë në dosjen e personelit. Marrëveshjet me stafin nuk janë konform akteve ligjore. Kontratat me studentët nuk shoqërohen me performancën e shkollës dhe nuk përmbajnë firmën e administratorit. Nuk ka depozituar garanci bankare të ngurtësuar, pra nuk garanton vazhdimësinë e veprimtarisë akademike si dhe kompensimin e studentëve në rast likuidimi apo falimentimi. Nuk është miratuar sipas procedurave në fuqi. Për këto arsye ka vendosur heqjen e liçensës ndaj tij dhe të bëjë kallëzim penal ndaj tij në cilësinë e personit juridik.

Universiteti “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”

Universiteti “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”, nga 37 kritere ligjore janë shkelur 27. IAL ka filluar aktivitetin dhe ka regjistruar studentë në programin e studimit “BSC në Infermieri” dy vite para datës së licencimit; IAL ka regjistruar studentë në programin e studimit “Mësuesi Cikli i Ulët”, një vit para pajisjes me Lejen e Ushtrimit të Veprimtarisë Akademike. Institucioni i Arsimit të Lartë ka regjistruar studentë në kundërshtim me nenin 43 pika 3 të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ku parashikohet “Një institucion privat i arsimit të lartë fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës” , dhe pikën 9 të Udhëzimi Nr. 11, datë 28.02.2011, “Për procedurat dhe dokumentacionin për hapjen e një institucioni privat të arsimit të lartë në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë, të programeve të studimeve jouniversitare, të natyrës profesionale si dhe procedurat për pezullimin dhe revokimin e licencës”, ku parashikohet “Subjekti juridik mund të fillojë veprimtarinë mësimore vetëm pas lëshimit të Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për fillimin e veprimtarisë akademike”.

Akreditimi

Institucioni i Arsimit të Lartë nuk ka urdhër të akreditimit institucional të lëshuar nga Ministri i Arsimit; IAL ka diplomuar studentë para akreditimit të programit të studimit “BSc. Infermieri” dhe “BSc. Mësuesi Cikli i Ulët”. Institucioni ka diplomuar studentë përpara datës së akreditimit, në disa programe studimi që ka hapur në kundërshtim me nenin 25, pika 1 dhe nenin 62, pika 3 të Ligjit Për Arsimin e Lartë ku parashikohet “Çdo IAL apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë”./ SotNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button