Shqipëri, hyn në fuqi ligji antiduhan, ja masat e përcaktuara

Që prej ditës së sotme merr jetë sërish ligji anti duhan në Shqipëri. Ky ligj parashikon vendosjen e gjobave edhe për duhanpirësit, të cilët e konsumojnë atë në ambjente të ndaluara. Gjoba e caktuar do të jetë 5000 lekë të reja.

Ligji parashikon që pronari apo administratori i ambjenteve ku ndalohet konsumimi i duhanit është personi përgjegjës për vendosjen e tabelave të dukshme, të cilat tregojnë se pirja e duhanit është e ndaluar. Shkelja e këtij ligji të ri, parashikon dënimin me 300.000 lekë ndaj subjektit të tatueshëm dhe 500.000 lekë gjobë ndaj administratorit, apo personit të caktuar si përgjegjës.

Pikërisht, një ditë para se ky ligj të kthehet në fuqi, Kryeinspektori i ISHSH, Gjergji Koja, ka deklaruar se kësaj here ligji nuk duhet konceptuar thjeshtë si një fushatë, por duhet të zbatohet çdo ditë.

Sipas tij, zbatimi i ligjit do të shoqërohet edhe me një fushatë promocionale dhe subjektet do të informohen në mënyrë të detajuar lidhur me ndryshimet e bëra.

“Qellimi i ligjit nuk është të krenohemi sa gjoba do të vëmë. Sigurisht ndëshkimet janë aty dhe padyshim që do të ndërmerren, edhe pas informimit dhe sensibilizimit. Është e domosdoshme që aleanca qytetare, sensibilizimi i të gjithë qytetarëve dhe i të gjithë subjekteve lidhur me këtë çështje, është shumë i rëndësishëm, paralelisht me monitorimin e zbatimit të ligjit.

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror do të koordinojë punën me të gjitha inspektoratet e tjera që funksionojnë në vend. Madje ai kërkon që të jepet edhe një mendim për logon që do të përdoret gjatë kësaj fushate

Sërish strukturat e shtetit shqiptar do të kenë sfidën e radhës për zbatueshmërinë e tij në terren, ku këtë herë ka njohur ashpërsim masa ndëshkimore me gjobë dhe mënyra se si është organizuar puna.

Mbetet për t’u parë në terren efiçensa e grupeve të kontrollit dhe mbi të gjitha, nëse edhe këtë herë ligji do zbatohet vetëm ditët e para, apo do të jetë eksperimenti i fundit dhe i duhuri./OraNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button