Diskriminimi ndaj USHT-së, nuk e merr as gjysmën e merituar

Në prag të regjistrimeve të reja nëpër universitetet  e vendit, Portalb ju rikujton për sasinë e parave që ata i marrin nga shteti. Të rikujtojmë se nga universitetet shtetërore, ai i Tetovës nuk e merr as gjysmën e merituar. Në buxhetin për vitin 2014 në Maqedoni janë ndarë 5.729.566 denarë për universitetet, prej të cilëve Kirili Dhe Metodij ka marrë 3.504.594 denarë, Universiteti Kliment Ohridski-Manastir 760.295 denarë, Universiteti i Tetovës, 635.101 denarë, Universiteti Goce Delçev-Shtip, 646.516 denarë, Universiteti i Informatikës dhe Teknologjisë-Ohër, 140.960 denarë, dhe universitetet tjera private jo-profitabile shumën simbolike 12.000 denarë.

Pavarësisht se të gjithë universitetet e lartëpërmendura, përveç USHT-së, kanë shumicën dërrmuese të lëndëve dhe studentëve maqedonas, ata sëbashku marrin 89% të financave, duke i lënë USHT-së shqiptare, vetëm 11%.

Sipas Marrëveshjes së Ohrit, dihet që shqiptarët duhet të financohet minimalisht 25%, po aq sa janë edhe banorë, duke na lënë të kuptojmë qartazi se financimet ndaj USHT-së janë shumë herë më të ulta. Me këtë ndarje fondesh, bien në ujë pretendimet e BDI-së se punojnë në avancimin e arsimit të lartë dhe vërehet diskriminimi i madh që me votimin e buxhetit të tillë, vet kjo parti ia bën arsimit shqip.

Petrit Pollozhani: BDI duhet të punojë më me energji

“Kjo që ndodh me universitetet dhe financimin e arsimit shqip në Maqedoni është në kointinuitet dhe normalisht edhe diskriminues në bazë të cdo gjëjë. Partia në pushtet duhet të punojë më energjitikisht për financimet e universitetit shqiptar, pasi sistemet që nuk paguhen ose sëpaku sipas meritës ata dështojnë , pikërisht këtu është një problem serioz pasi universitet jane institucione ku kryhen inovacionet. Pra në këtë rast financimet janë ata që e ngrejnë apo e ulin cilësinë.” – tha për Portalb, profesori universitar Petrit Pollozhani.

Rexhepi: Investimi në arsim është shumë herë më i ulët sesa në vendet e UE-së

“Duhet të kemi parasysh se arsimi në Republikën e Maqedonisë është në një situatë shumë të rëndë buxheti i cili i dedikohet arsimit në përqindje të GDP është shumë më i ulët se në shtetet të Unionit Evropian (afër 6%). Përqindja e buxhetit i cili dedikohet arsimit në GDP në Danimarkë arrin 8.8%, Qipro afer 8%, Suedi dhe Finlandë rreth 7% e kështu me radhë, dhe kjo bëhet në kontinuitet. Fatkeqësia është se edhe në këtë buxhet shumë të ulët universiteti shtetëror i Tetovës merr një pjesë jashtëzakonisht shumë të ulët (vetëm 11%) ndërsa Universiteti i Evropes Juglindore edhe këtë vit fatkeqësisht ngel jashtë buxhetit. Edhe pse shqiptarët në Maqedoni jane 25% personalisht mendoj se universitetet shqiptare duhet të kenë një buxhet edhe më të lartë se 25% pasiqë do të duhet vite qe universitetet shqiptare të arrinë ti kenë të njëjtat kushte pune në krahasim me Universitetin e Kirili dhe Metodi. Buxheti ndikon drejtpërdrejt në cilësi pasi që imponon rroga të ulta për profesorët, buxhete të ulta për hulumtime, grupe të mëdha të studentëve, mungesë të laboratorëve e kështu me radhë. Kjo sigurisht që është problem i të gjithë ne pasi që nga këta universitete do të varet dhe rruga që do të ecim në të ardhmen”, tha mes tjerash ekonomisti dhe profesori Gadaf Rexhepi për Portalb.

Nga Ministria e Arsimit, ku tani udhëheqet nga një shqiptar, Abdylaqim Ademi, kanë qenë të pa kapshëm për redaksinë tonë dhe për të komentuar mbi këtë problem madhor./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button