Pushteti zgjat kthetrat ndaj fjalës së lirë, portalet informative nën kërcënim

Opinioni ka te drejtë të vlerësojë punën e gazetarëve online, por kjo duhet të bëhet në bazë të fakteve dhe me qëllim të mirë për të korrigjuar lëshimet eventuale jo për diskreditim dhe njollosje të tyre. Njohësit e çështjeve mediale, për Portalb komentojnë se sot, kur pjesa më e madhe e njerëzve marrin informacione nga Interneti, portalet janë përçues të rëndësishëm të informacionit. Ato si media të reja janë platformë e rëndësishme mediale me një impakt kyç për formësimin e opinionit publik.

Nëse dikush është i pakënaqur me raportimin e ndonjë mediumi të caktuar ka të drejtën ligjore te përgënjeshtrojnë apo të korrigjojë pjesë të ndonjë lajmi dhe mediat kanë obligim profesional të botojnë këto reagime të opinionit kush do qoftë ai. Së fundmi, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim me kumtesa zyrtare si dhe përmes individëve të theksuar partiak ka lëshuar një sërë akuzash dhe diskreditimesh duke i futur në një thes të gjithë portalet informative në Maqedoni.

Ata madje, siç mëson Portalb, dëshirojnë që portalet ti inkuadrojnë në Ligjin ekzistues për media.

Reagimin e  BDI-se si parti dhe personaliteteve te kësaj partie individualisht kundër portaleve shqipe, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani e vlerëson si sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë se fjalës dhe lirisë së medias në Maqedoni.

 Reagimet e BDI-së, sulm i  drejtpërdrejtë ndaj lirisë se fjalës

“Kur këto reagime vijnë nga bartësit e pushtetit, të cilët në vend që të kontestojnë faktet e botuara në media, etiketojnë dhe diskreditojnë median dhe gazetarët, nuk mund të vlerësoj ndryshe vetëm si sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë se fjalës dhe lirisë së medias në Maqedoni” shprehet kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani.

“Puna e mediave dhe gazetarëve është publike. Opinioni ka te drejtë të vlerësojë punën e gazetarëve, por kjo duhet të bëhet në bazë të fakteve dhe me qëllim të mirë për të korrigjuar lëshimet eventuale. Nëse dikush është i pakënaqur me raportimin e ndonjë mediumi të caktuar ka të drejtën ligjore të përgënjeshtrojnë apo të korrigjojë pjesë të ndonjë lajmi dhe mediat kanë obligim profesional të botojnë këto reagime të opinionit kushdo qoftë ai”, thotë Naser Selmani.

Ai thotë se, nuk është praktikë demokratike që partitë në pushtet t’u mbajnë leksione gazetarëve se si duhet të ushtrojnë profesionin e tyre. Ato duhet të zbatojnë premtimet e dhëna qytetarëve dhe vazhdimisht të japin llogari për punën e tyre.

“Roli i medias dhe gazetarëve në një shoqëri demokratike është që në mënyrë kritike të observojnë realitetin shoqëror e jo me punën e tyre t’u pëlqejnë bartësve të pushtetit. Në vende me demokraci të konsoliduar partitë në pushtet nuk merren me punën e medias sepse respektojnë rolin e patjetërsueshëm të tyre në shoqëri, si korrektor të pushtetit. Kjo sjellje e partive në pushtet dëshmon qëndrimin armiqësorë që ata kanë ndaj mediave kritike. Ky është indikatori kryesor për kapacitetin demokratik të këtyre partive. BDI dhe partitë tjera duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se pa media të lira nuk ka demokraci dhe integrim të vendit në BE dhe NATO”, thotë Naser Selmani.

Drejtori i fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, thekson nevojën dhe rëndësinë e portaleve informative që në kohën e sotme paraqet burim të vetëm informativ për shumë njerëz.

Zyrtarët partiak ngecin në kohë, nuk ka arsye për të etiketuar portalet

Deklaratat e zyrtarëve partiak të cilët me reagimet tyre kundër portaleve informative synojnë të ngufasin fjalën e lirë, Bardhyl Jashari i konsideron si tentime të ngecura në kohë dhe mungesë të vetëdijes për potencialin dhe rëndësinë e portaleve.

“Portalet e mirëfilltë, ata të cilit punojnë në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe u përmbahen parimeve themelore të profesionit, përfaqësojnë burim primar dhe të besueshëm, bile ndonjëherë edhe burim të vetëm të informatave për shumë njerëz. Këtë e dëshmojnë jo vetëm hulumtimet e fundit të bëra në Maqedoni por edhe gjetiu. Natyra demokratike dhe e lirë e internetit jep hapësirë edhe për keqpërdorime dhe keqinformime, por kjo nuk ka të bëj me internetin si medium, por me profesionalizmin dhe etikën e atyre që e përdorin. Kjo në asnjë mënyre nuk është arsye për t’i etiketuar dhe fyer të gjitha portalet në internet, e sidomos jo për ta nënvlerësuar ndikimin e tyre”, thotë  për Portalb, drejtori i fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

Politika shënjestron portalet që nuk i kontrollon

“BDI është 12 vite në pushtet dhe pritej që të marrë performansa të një qasje diktatoriale ndaj mediave. Nuk më habit kjo qasje ndaj gazetarëve apo lirisë së shprehjes pasi BDI është një parti e dalë nga një revolucion i armatosur dhe ende nuk ka kaluar të gjitha fazat e demokratizimit si subjekt politik. Të gjitha subjektet që dalin nga luftërat e konfliktet, nga Partia e Punës së Enver Hoxhës e deri te Partia Komuniste e Fidel Kastros, në thelb janë diktatoriale dhe me një tendencë latente për të kontrolluar jo vetëm mediet por të gjithë segmentet e shoqërisë. BDI patjetër duhet të kalojë fazën më të rëndësishme të demokratizimit – të qenit opozitë shqiptare së paku një mandat katërvjeçar. Mungesa e rotacionit të pushtetit te shqiptarët vetëm se rrënjos një sistem që quhet demojraturë, e që në thelb është diktatorial. Në shënjestër janë portalet pasi një pjesë të tyre nuk arrijnë ta kontrollojnë. Kjo i bën nervoz, jo të rehatshëm dhe të rrezikuar. Andaj, pritet që sulmet ndaj mediave me qasje kritike do të bëhen edhe më të theksuara në të ardhmen.” komenton për Portalb, gazetari Xhelal Neziri.

Për profesorin universitar Sefer Tahiri, partitë politike, përfshirë edhe BDI-në në pushtet, duhet të kenë trajtim korrekt ndaj mediave online, ngjashëm si edhe mediat online duhet të kenë raport profesional dhe korrekt me partitë politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button