Gjykata Speciale, larje parash

Lideri i listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, ka thënë se asnjë raport, përfshirë edhe këtë të fundit të prokurorit të Task Forcës Hetimore Speciale të BE-së, Clint Williamson, nuk mund ta errësojë luftën e drejtë të UÇK-së.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Danaj ka vlerësuar se UÇK-ja në thelbin e saj kishte doktrinë politike të komandantit legjendar të saj, Adem Jasharin dhe politikën e jashtme e cila, sipas tij, ishte NATO-ja dhe ShBA-të. “Ajo kishte në thelbin e saj një doktrinë politike që ishte Doktrina Adem Jashari, kishte një politikë të jashtme që ishte aleanca me NATO-n dhe SHBA-në etj.

Këto askush nuk mund t’i errësojë. Ndërsa dikush apo disa që fshehur pas emrit të saj mund të kenë kryer krime pas luftës, ata duhet të përgjigjen”, është shprehur Danaj, duke shtuar se ky raport nuk mund të ketë ndikim negativ për Kosovën as në aspektin e njohjeve e as në atë të investimeve të huaja. “Asnjë ndikim, qysh tani, ky raport dhe Gjykata që do të krijohet janë diskredituar. Ju thashë, ato janë krijuar nga Brukseli për t’i zbardhur paratë dhe për t’i zbardhur krimet e pas luftës”, ka thënë Danaj.

Ndërkaq duke iu referuar Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së, Danaj ka thënë se insistimi i faktorit ndërkombëtar për formimin e kësaj gjykate ka të bëjë me qëllime korruptive dhe larje parash që për origjinë kanë Brukselin. “Por, siç duket, zyrat korruptive që janë në Bruksel duan të zbardhin akoma miliona euro në Kosovë dhe u duhet emri Gjykatë Speciale për ta fshehur korrupsionin. Besoj se edhe ju jeni dakord me mua që fondi prej 50 milionë eurosh që mendohet të caktohet për këtë Gjykatë, ashtu si fondi 216 milionë euro për EULEX, janë thjesht për qëllime korruptive, thjesht zbardhje parash me origjinë Brukselin”, ka deklaruar Danaj. /Epoka e re/

Lajme të ngjashme

Back to top button