Temperaturat e larta mbushin ambulancat

Gjatë kësaj jave meteorologët paralajmëruan se në Maqedoni do të mbizotëron mot tejet i ngrohtë dhe apelohet që të shmanget dalja në diell prej orës 10 deri në orën 17.

Mjekët njoftojnë se është rritur dukshëm numri i pacientëve gjatë këtyre ditëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të vapës së madhe.

Mjeku Sedat Lumani për Portalb bën të ditur se në këtë kohë duhet të kenë  kujdes të gjithë e sidomos gratë shtatzëna, të moshuarit, të sëmurit kronik dhe fëmijët.

“U sugjeroj të gjithëve që sa më shumë t’i shmangen ekspozimit në diell dhe të mos dalin nëse nuk është e patjetërsueshme kujdes të veçantë duhet të kenë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzënë si dhe të sëmurit kronik”, tha Lumani.

Ai po ashtu theksoi që duhet të pihen shumë lëngje si dhe ushqimi të konsumohet i freskët për të shmangur helmimin.

“Shumë gjëra mund të prishen për shkak të nxehtësisë dhe kështu të helmojnë personat që i hanë ato, andaj shmanguni ushqimeve të shpejta dhe hani gjëra të freskëta si dhe është e nevojshme që të konsumohen sa më shumë lëngjet”, theksoi Lumani.

Nga Klinika e Bit Pazarit bëjnë të ditur se një numër i madh i personave, kryesisht të moshuar si dhe fëmijë kanë kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore si pasojë e vapës së madhe.

Temperaturat e larta tropikale pritet që të mbizotërojnë deri në fund të kësaj jave dhe më pas ato pritet që të bien për 10 gradë celsius, në ndërkohë mjekët apelojnë për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta si dhe gjatë ndryshimit të menjëhershëm të motit.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button