Grimi i çdoditshëm verës, sjell pasoja

Grimi nxjerr në pah pikat tona të forta, por me shkathtësi tërheq vëmendjen për të metat. Përdorimi i tij i përditshëm verës, sjell efekte anësore kozmetike ose edhe reaksione alergjike në lëkurat e ndjeshme ose kur produktet e përdorura nuk janë cilësore.

Studimet e fundit kanë treguar se aplikimi i përditshëm i grimit, sidomos në ditët e nxehta të verës, është i dëmshëm për lëkurën dhe shëndetin.

Disa nga efektet anësore të përdorimit të grimit janë këto: aknet dhe komedonet ose pikat e zeza të cilat shfaqen më shumë tek lëkurat e yndyrshme. Disa produkte të lëngshme ose të buta kozmetike bllokojnë poret dhe këto produkte nuk mund të largohen lehtë nga lëkura. Bllokimi i preve do të ndikonte në krijimin e pikave të zeza dhe mbi to mund të shfaqen akne (puçrra të kuqe me ose pa qelb).

Përpara përdorimit ose zgjedhjes së produktit duhet të sigurohemi që makijazhi nuk përmban përbërës (komedonogjenetike) produkte që ndikojnë në krijimin e pikave të zeza). Po ashtu, ndikim tjetër janë edhe reaksionet alergjike të cilat janë mjaft të zakonshme tek personat të cilët përdorin makijazh dhe manifestohen me puçrra të vogla, kruarje të lëkurës dhe tharje të saj.

Për të shmangur efektet irrituese duhet të jeni të vëmendshëm gjatë përdorimit të produktit duke përdorur vetëm një produkt të ri në një kohë. Edhe acarimi më i vogël mund të ketë efekte te dukshme negative me kalimin e kohës dhe lëkura lufton për të eliminuar substancat e padëshirueshme.

Nëse jeni mësuar dhe nuk mund të rrini pa makijazh, këshillojmë ta pastroni fytyrën menjëherë sa të vini në shtëpi duke i dhënë mundësi lëkurës për të marrë frymë lirisht, duke parandaluar kështu dëmtimet dhe plakjen e parakohshme të lëkurës. Është shumë e rëndësishme të hiqni makijazhin përpara se të flini gjumë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button