Besimi: Do të ketë analizë të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Në kohën kur Brukseli flet gjithnjë e më zëshëm për nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, kusht i cili garanton përmbushjen e kriterit politik të Kopenhagës, Fatmir Besimi, Zv/kryeministër për çështje evropiane thekson se qeveria mbetet e përkushtuar në kapërcimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë, që parashikon të drejta të barabarta për të gjitha bashkësitë etnike. Besimi gjithashtu njoftoi se qeveria do të përgatisë një analizë cilësore të përmbushjes së deritanishme të Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të vlerësohet në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian së fundmi rekomandoi ndërmarrjen e masave proaktive për ndërtimin e besimit mes bashkësive etnike.

“Ajo që pritet edhe në këtë raport të progresit është të kalohet në një analizë kualitative të zbatimit të MO-së e cila do të shërbejë si një bazë për politikat në dekadën e dytë të implementim të MO-së. Kjo është me rëndësi edhe për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe ekonomie të tregut funksional gjithsesi se stabiliteti politik i vendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm ashtu siç janë të rëndësishme investimet dhe krijimi i vendeve të punës dhe stabiliteti i institucioneve të vendit”, tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Duke komentuar zërat për shkëputjen e Komisionerit për zgjerim në përbërjen e re të Komisionit Evropian, Besimi tha se kjo nuk kërcënon të ardhmen evropiane të vendit. Numri “një” i integrimeve theksoi se vendi mbetet i përkushtuar në përmbushjen e kritereve dhe reformave.

“Pavarësisht se si do të jetë përbërja e Komisionit Evropian, çështja e zgjerimit evropian është çështje sistematike konceptuale e vetë idesë së Bashkimit Evropian dhe nuk është pjesë e politikave konjukturale. Ne duhet të fokusohemi në implementimin e reformave që kanë të bëjnë me integrimin në BE pavarësisht komenteve se cili do të jetë rezultat lidhur me Komisiarin për Evropë. Nëse nuk ka komisar për zgjerim kjo do të jetë pjesë e agjendën në kuadër të ndonjë komisari tjetër”, deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Në Bruksel u ngritën zëra se posti i komisionarit mund të pezullohej për 5 vitet e ardhshme, por ato u refuzuan më vonë, sërish nga BE-ja. Drejtoria e Zgjerimit dhe posti i komisionarit janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për vendet që aspirojnë anëtarësimin, por edhe për ato që janë aktualisht anëtare dhe mund të preferojnë largimin. Komisioneri gjithashtu është një votë e rëndësishme në vendimmarrjen e brendshme të BE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button