Rama nis pushimet në Vlorë: Do kaloj ca ditë me familjen

Kryeministri Edi Rama i ka nisur tashmë pushimet e verës. Ai e tha vetë dje, se “po kaloj pak ditë pushim me familjen në Vlorë”.

Pa kostumin zyrtar dhe kravatën, i veshur me një këmishë në stilin e tij të veçantë të veshjeve, Rama u shfaq dje, në fakt jo me bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël të porsalindur, por në një ekspozitë pikture në qytetin e Vlorës, aty ku është edhe zona e tij elektorale.

Ekspozita e titulluar “Vlora në Telajo”, iniciativë e deputetit tjetër socialist të Vlorës, Fatmir Toçi, mblodhi 60 artistë, që kishin ekspozuar rreth 500 piktura. E kryeministri Rama, si një artist, nuk kishte se si të mungonte në këtë ngjarje. Rama shpreh bindjen se aktivitete të tilla kulturore, duhet të jenë prezente në gjithë qytetet bregdetare në sezonet e ardhshme verore.

“Këto janë aktivitete të cilat i shkojnë më së miri sezonit dhe ne jemi tërësisht të vetëdijshëm që na duhet më shumë, dhe jam i bindur se në sezonin dhe sezonet e ardhshme kulturore, do të jetë më e pranishme në të gjithë vijën bregdetare, në të gjitha format e saj të larmishme, duke nxitur këto lloj nismash, që vijnë nga dëshira e brendshme e individëve dhe grupeve të individëve”, – u shpreh kreu i qeverisë. Rama e quan të gjithë, një transformim që pritet të vijë për shqiptarët. Në këtë pikë, ai thotë se vija bregdetare e vendit do të pësojë një transformim të tillë në ditët e ardhshme, jo thjesht për vlonjatët, por për të gjithë shqiptarët. “Vlora është në një fazë para transformimit, me shumë përgatitje, me shumë kantiere që do të hapen, dhe kur them Vlora, nuk kam parasysh vetëm qytetin, por të gjithë vijën bregdetare, që nuk është vetëm e Vlorës dhe vlonjatëve, por e gjithë shqiptarëve apo qofshin edhe të huaj për ta vizituar dhe për të shfrytëzuar pasuritë e veta natyrore, duke filluar nga deti dhe gjithë peizazhi që ofron bregdeti i mrekullueshëm i Jonit”, – u shpreh Rama. Nga ana e tij, deputeti Fatmir Toçi tha se “duhet treguar një vëmendje më të madhe ndaj krijuesve shqiptarë, piktorëve, shkrimtarëve, për të cilët vëmendja ka qenë e vogël. Me shpresë për të ringjallur një vëmendje të artistëve, që në fund të fundit janë identiteti i vërtetë i kombit shqiptar”./ Gazeta Shqiptare

Lajme të ngjashme

Back to top button