Gjimnazi i Tetovës, afër ndarjes në dy subjekte shkollore

Gjimnazi i Tetovës, “Kiril Pejçinoviç” vështirë do t’i rezistojë kërkesës për ndarjen në dy subjekte shkollore.

Në këtë gjimnaz, aktualisht numërohen mbi 3 mijë nxënës, kryesisht shqiptarë. Mësimi zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme.

Nxënësit e sistemuar në rreth 100 paralele mësojnë të shpërndarë në pesë objekte dhe sikurse janë ankuar çdo herë drejtorët e këtij gjimnazi, “administrimi i shkollës është shumë i vështirë”. Për pasojë, cilësia e mësimdhënies si dhe sukseset e nxënësve janë për tu mëshiruar.

Kërkesat për ndarjen e gjimnazit “Kiril Pejçinoviç” në të paktën dy subjekte shkollore janë prej shumë vitesh, kurse paralajmërimet për pavarësimin e tyre janë bërë nga vetë ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

-Gjimnazi i Tetovës është një nga më të mëdhenjtë në tërshtetin dhe për këtë vlerësojmë se me ndarjen në dy subjekte, do të mundësohet ngritje e cilësisë së arsimit dhe kushteve për punë, ka deklaruar ministri ndërsa ka paralajmëruar se ndarja nuk do të jetë etnike dhe se nxënësit e paraleleve maqedonase dhe turke do të vazhdojnë të mësojnë në shkollat e përbashkëta me nxënësit shqiptarë.
Kërkesa e parë zyrtare për ndarjen e gjimnazit në dy subjekte të veçanta është bërë jo më larg se më 26 korrik 2010, pra në kohën kur për shkak të mbingarkesës, gjimnazit i duhej të shpërndahej jo më në dy e tre objekte, por në pesë të tilla. Deri tani shkollës dhe Komunës së Tetovës nuk i ishte kthyer asnjë përgjigje dhe për një kohë të gjatë çështja ishte lënë në harresë sa për neglizhencë të drejtuesve të shkollës dhe përfaqësuesve komunal, aq edhe për mungesë vullneti politik te drejtuesit e Ministrisë së Arsimit. Gjimnazi “Kiril Pejçinoviç” që dikur mbante emrin e Hasan Tahsinit gjendet edhe para mundësisë për të rikthyer emrin e vjetër të shkollës.

Konkretisht, shkolla e re që do të themelohet me paralelet e këtij gjimnazi, sikurse pritet të iniciohet edhe zyrtarisht nga Këshilli nismëtarë, do të mbajë emrin e ri-të vjetër “Hasan Tahsini”. Por mbi të gjitha do të duhet të bëhet edhe një zgjidhje më e mirë hapësinore, pasi vetëm pavarësimi në letra nuk do të zgjidhë problemet reale të këtij gjimnazi, i cili ka numër nxënësish sa për tre shkolla të mëdha. Prandaj, për të siguruar kushte më të mira për mësim, duhet në radhë të parë të mendohet për ndërtimin e një objekti të ri shkollor dhe krahas kësaj, të lihet hapësirë për një ndarje të radhës.
Ministri Ademi nuk ka dhënë detaje se cili është plani që do të shoqërojë ndarjen e gjimnazit “Kiril Pejçinoviç” në dy subjekte të veçanta shkollore, por ka lënë të kuptohet se MASH do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave që lidhen me cilësinë e arsimit. Deri tani, gjimnazi i Tetovës ashtu si dhe shumë shkolla të tjera në Maqedoni, përveç tjerash, ishte edhe viktimë e mosmarrëveshjeve politike, herë brenda kampit shqiptar e herë nga parti të ndryshme etnike.

Megjithëse prej në qershor të 2008-ës BDI dhe VMRO janë partnerë koalicioni dhe prej 2013-ën me Tetovën udhëheq kuadër i BDI-së, ministrat e VMRO-së nuk iu qasën asnjëherë kërkesës për krijimin e një subjekti të ri shkollor, pasi gjimnazi i Tetovës nuk ishte prioritet i programeve politike të ministrave të arsimit. Ndërkaq, në rastet kur ministrat ishin shqiptarë, qëllonte që kryetarët e komunave të ishin rival politik dhe çështja e gjimnazit të bëhej pre e betejave politike brenda vetë shqiptarëve. Tani duket se kauza e këtij gjimnazi gjendet brena klimës së volitshme politike, pasi si ministri Ademi ashtu edhe kryetarja e Komunës, Teuta Arifi, aderojnë brenda të njëjtës parti.
Jo zyrtarisht mësohet se në Komunë është gati projekti për ndërtimin e një godine të re dhe si i njëjti bashkë edhe me elaboratin për ndarjen e shkollës në dy subjekte të veçanta i është dërguar MASH-it, prej para katër viteve. Deri tani ndërtimi i ndonjë objekti të ri shkollor për gjimnazin e Tetovës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e programeve të MASH-it për investime kapitale. 2015-ta është viti më i afërt kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Lajme të ngjashme

Back to top button