Përkundër pakënaqësive ndaj BDI-së, në Gjermë nuk ka dorëheqje

Këshilli vendor i fshatit Gjermë, me gjithë pakënaqësitë që ka lidhur me punësimet dhe investimet në këtë fshat do ti mbetet besnike Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në mbledhjen e fundit, anëtarët e Këshillit vendor kanë shtruar këto pakënaqësi me të cilët është njoftuar edhe partia.

Anëtari i Këshillit vendor i fshatit Gjermë, Qefali Havziu thotë për Portalb se ka pakënaqësi, por nuk ka dorëheqje të anëtarëve të Këshillit vendor, përkundrazi deklaron ai, Këshilli është shtuar edhe me anëtarë të rinj.

“Kryesisë aktuale të Këshillit Vendor i ka kaluar mandati dhe si zakonisht, duhet të zgjidhet kryesi e re apo vazhdim i mandatit të kryetarit aktual Haki Ahmeti. Në këtë mbledhje u diskutua rreth pakënaqësive që kishin të bënim me punësimin e të rinjve të këtij fshatit. Në mbledhjet e ardhshme do të zgjidhet kryesia e Këshillit Vendor”, thotë Qefali Havziu.

Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Atilla Rexhepi, thotë për Portalb se anëtarët e Këshillit vendor të kësaj partie në fshatin Gjermë kanë shtruar pakënaqësitë e tyre, por kjo sipas tij, nuk është aq serioze sa pretendohet të bëhet.

“Dega e BDI-së në Fshatin Gjermë, është besnike e BDI-së, ajo ka potencuar pakënaqësitë e saj të cilët do t’i shqyrtojmë dhe do ët shihet se çfarë mund të bëhet”, thotë Atilla Rexhepi.

Ditëve të fundit në media u përhap lajmi se partia e Ahmetit kalon në krizë dhe se ka përçarje të cilat kanë filluar nga Gjerma, por përkundër pakënaqësive askush nuk jep dorëheqje pasi që thonë në kushte anonime për Portalb, nuk kanë zgjidhje tjetër pos të qëndrojnë të përkulur.

Lajme të ngjashme

Back to top button