Thaçi: Ekstremistët Islamik nuk do të gjejnë strehë atdheun tonë

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi më në fund ka folur për ekstremizmin fetar. Ai tha që ekstremistët Islamik nuk do të gjejnë strehë në tokën e atdheut kosovar.

Lexojeni deklaratën e tij:

Kosova është shtet i krijuar bazuar në vlerat civilizuese euroatlantike, pra lirive të pacenueshme individuale, respektim dhe investim në ruajtje të diversitetit dhe pakicave, të drejtave të njeriut, ekonomisë së lirë të tregut dhe sekularizmit.

Kosova kurrë më parë nuk ka qenë më e lirë se sot dhe kosovarët kurrë më herët nuk kanë qenë më të lirë të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre, duke përfshirë të drejtën e besimit. Megjithatë, jam i brengosur se disa individë po mundohen të keqpërdorin këtë drejtë për të imponuar predikime që nuk i takojnë vlerave tona të vërteta kombëtare dhe civilizuese. Këto insistime për mbizotërim të një interpretimi mbi të tjerët kanë krijuar tensione në shoqërinë tonë sidomos gjatë viteve të fundit.

Mirëpo, më lejoni të them se Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e plleshme për radikalët apo ekstremistët që tentojnë të na ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit dhe kombit tonë. Urrejtja apo mosdurimi ndaj pakicave, tendenca të importohen fenomene të huaja si anti-semitizmi apo radikalizmi fetar, do të kundërshtohen me të gjitha kapacitetet e shtetit dhe të ligjit. Armiqtë e demokracisë dhe të vlerave civilizuese perëndimore, nuk do të gjejnë strehë në tokën e atdheut tonë – ky është premtimi im dhe besoj tërë lidershipit demokratik kosovar.

Institucionet e Kosovës do të mbesin besnike ndaj respektimit të Kushtetutës së Republikës dhe do të luftojnë çdo ditë dhe në çdo vend çfarëdo forme të shfaqur të ekstremizmit. Ky është premtimi që iu kemi dhënë edhe fëmijëve tanë – që liritë e tyre mos t’i cenojnë kurrë as armiqtë e jashtëm por as ata të brendshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button