Shumë policë, pak siguri

Vrasje, vetëvrasje, incidente të armatosura, vjedhje me dhunë. Kjo është pak a shumë pasqyra e buletinit informativ ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Të plasuar në rubrikën e kronikës së zezë të mediave, ngjarjet e kohëve të fundit shtrojnë dilemën se sa vallë qytetarët e Maqedonisë janë të sigurt? Sa e kanë të garantuar sigurinë fizike? Sa ndikon policia dhe institucionet tjera që qytetarët të mos ndjejnë frikë nga pasiguria?

Vjedhjet në pikë të ditës reflektim i (pa) sigurisë

Rasti më i freskët është grabitja në Dibër, që ndodhi më datën 29 korrik, kur gjashtë persona nga Shqipëria, në pikë të ditës, në orën 14:30, në qendër të qytetit të Dibrës vodhën argjendaritë “Beli” dhe “Erebara”. Një sasi e madhe bizhuterish u grabitën, ndërsa nga përplasja me pronarët e argjendarisë, një grabitës u vra, ndërsa u plagos pronari i njërës nga argjendaritë e vjedhura, Mexhit Erebara.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili  tha se  policia ka ndërmarrë masat për zbardhjen e rastit. “Janë grumbulluar materialet dhe besojmë në zbardhjen e ngjarjes”, tha ai.

Ndërkohë të premten e kaluar, më 1 gusht, një trup i pajetë mashkulli në një xhip i tipit “Range Rover” me targa angleze u gjetën nga nëpunësit policorë, që supozohet të jetë personi që u vra gjatë vjedhjes së arit në Dibër.

Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata deklaroi për Inbox7 se pas incidentit të rëndë, situata në Dibër ka qenë shumë e tendosur, ndërsa popullata ka qenë mjaft e shqetësuar.

“Pas incidentit, Këshilli i komunës së Dibrës miratoi disa konkluzione: -Me çdo kusht të zbardhet incidenti. -Organet policore t’i raportojnë Këshillit komunal. -Të respektohet baza ligjore që komandantin e policisë në Dibër ta emërojë këshilli komunal”.

“ Situata po ndiqet me kujdes dhe mundohemi që çdo gjë te kemi nën kontroll”, u shpreh Lata, i cili para se të bëhej kryetar komune, ishte myfti  i  Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në këtë qytet.

Komiteti I Helsinkit: Qytetarët nuk ndjehen të mbrojtur nga policia

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut(KHDLNJ) konfirmoi për Inbox7 se analizat e tij tregojnë se qytetarët nuk ndjehen të mbrojtur nga Ministria e Brendshme. Drejtorja ekzekutive e këtij Komiteti, Uranija Pirovska deklaroi se në tri vitet e fundit kanë ndodhur shumë tragjedi, të cilat ishin shumë shqetësuese për tërë shoqërinë dhe të cilat rezultuan me më shumë dhunë në rrugë.

Do ta përmend vdekjen e Martin Neshkovskit, e cila i preku të rinjtë, që të kundërshtojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të kërkojnë kontroll të jashtëm, me çka shprehet mosbesim ndaj trupave që duhet të kenë kontroll ndaj nëpunësve policorë, pavarësisht njësisë që i takojnë, policia e rregullt ose Njësia për shpërndarje të shpejtë”.

“ Më pas e kemi vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov dhe hetimin, i cili kanë lënë shumë pyetje të papërgjigjura për familjen dhe publikun. Pastaj janë përplasjet etnike midis të rinjve në transportin publik”, deklaroi Pirovska.

Pirovska përmendi se sigurinë e kanë rrezikuar edhe disa jetë të humbura në Liqenin e Smillkovcit, incidenti në Gjorçe Petrov, ku u vra i riu Angell Petkovski, por edhe dhuna familjare. “Kemi edhe disa raste jo më pak të rëndësishme të dhunës familjare, që rezultuan me vdekjen e tri grave si dhe sulmet ndaj komunitetit LGBT”, u shpreh Pirovska.

Komiteti i Helsinkit kërkon që Ministria e Brendshme të respektojë prezumcionin e pafajësisë së personave të dyshuar. Siç njoftoi Pirovska, qytetarët shpesh i drejtohen Komitetit me ankesa për tejkalim të kompetencave nga ana e policisë.

Qytetarët ankohen nga tejkalimi i autorizimeve policore, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndaj torturës nga nëpunësit policorë. Në këtë kategori theksohen rastet e pengimit të tubimeve publike, kufizimit të lirisë së qarkullimit, të protestës, por edhe në kalimet kufitare. Në fund, qytetarët e përkatësisë rome inkurajohen të paraqesin raste të diskriminimit nga ana e policisë, kryesisht nga pjesëtarët e njësisë “Allfa”, por edhe nga policët e rregullt”, tha Pirovska.

A mjaftojnë projektet e MPB-së për rritjen e sigurisë?

Ndërkohë Ministria e Brendshme është duke realizuar projektin “Patrulla fqinjësore”, e cila ka për qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në vendbanimet e tyre.

Ky projekt do mundësojë organizimin e patrullave, në të cilat do të përfshihen qytetarët, të cilët së bashku me policinë në vendbanimet e tyre, lagjet, fqinjësinë e tyre do të mund së bashku me policinë të patrullojnë dhe t’i vizitojnë lokalitetet, në të cilat ndodhin më shpesh vepra penale dhe vepra që prishin rendin dhe qetësinë publike”, deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Por sipas Komitetit të Helsinkit, projektet e këtilla janë të pamjaftueshme. Kërkohet kontrolli i jashtëm ndaj policisë, sepse Sektori i Kontrollit të Brendshëm nuk vihen në anën e viktimave.

Nëpunësit policorë nuk duhet që symbyllur t’i ndjekin urdhrat për ndërmarrjen e masave joligjore ndaj qytetarëve që qetësisht protestojnë. Raporti i nëpunësve policorë ndaj qytetarëve patjetër duhet të ndryshojë në drejtim të krijimit të raportit profesional dhe kulturor. Në të kundërtën çdo tejkalim duhet të rezultojë me masa disiplinore ose ndërprerje të marrëdhënieve të punës, veçanërisht në raste të torturës”, deklaroi Pirovska.

Sipas saj MPB-ja duhet të tregojë profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim që të përmirësohet siguria e qytetarëve.

Komiteti i Helsinkit ka  konkluduar se është i pashpjegueshëm fakti se MPB-ja në mënyrë drastike e zmadhon numrin e policëve, ndërsa në shtet nuk ekziston ndjenjë se siguria është më e madhe. Në fakt, sipas kësaj organizate, tek qytetarët mbizotëron ndjenja e pasigurisë, por edhe frikë që të mos flitet publikisht, për shkak të mundësisë së disa reperkusioneve, meqë disa njerëz tashmë pikërisht për shkak të deklarimit të tyre publik gjenden në burg, paraburgim ose janë në proces gjyqësor./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button