Pas pushimeve BDI do të konfirmojë drejtorët

Për eshalonin e tretë në pushtetin ekzekutiv organet e larta të Bashkimit Demokratik për Integrim do të vendosin pas pushimeve verore, të cilat në pjesën më të madhe të institucioneve kanë filluar të hënën, ndërsa përfundojnë rreth 15 gushtit, shkruan gazeta “Koha”.

Nga BDI zyrtarisht askush nuk dëshiron të flet për emërimet nëpër drejtoritë dhe ndërmarrjet shtetërore me të cilat menaxhon kjo parti, por jo zyrtarisht thonë se nuk priten ndryshime drastike. Pjesa më e madhe e drejtorëve, sipas një zyrtari të lartë partiakë, do të mbeten të njëjtë, ndërsa emërime priten kryesisht në ato drejtori që kanë mbetur të zbrazura pasi drejtorët e deritanishëm kanë marrë funksione të tjera si dhe disa lëvizje të vogla të drejtorëve nga një institucion në tjetër. Disa drejtorë të cilët kanë ende mandat do të vazhdojnë me punën e tyre, ndërsa ata që janë në fund të mandatit Qeveria vetëm se do t’ua vazhdojë atyre edhe një mandat të ri katër vjeçar.

Në institucionet, si Postat e Maqedonisë dhe ato që kanë zëvendësdrejtorë, ky i fundit do të ushtrojë rolin e drejtorit deri në emërimit të drejtorit të ri. Ndërkaq në drejtoritë dhe ndërmarrjet e tjera që nuk kanë zëvendës, Qeveria me vendim ka emëruar ushtrues detyre drejtor, që zgjidhet nga radhët e të punësuarve. Kështu, siç mëson gazeta KOHA, ushtrues detyre drejtor i Fondit Pensional Invalidor është emëruar Ahmet Dauti, pasi drejtori i deritanishëm i këtij fondi, Bekim Neziri në përbërjen e re të Qeverisë u emërua ministër i Ekonomisë. Ndërkaq, drejtori i deritanishëm i Postave të Maqedonisë, Rafiz Haliti, u zgjodh deputet nga lista e BDI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe më pas edhe nënkryetarë i Parlamentit. BDI edhe në këtë përbërje të Qeverisë ka ruajtur drejtoritë dhe ndërmarrjet e njëjta me ato në përbërjen e kaluar si Aeroportet e Maqedonisë, Agjencioni për Investime të Huaja, Agjencioni për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Agjencioni për rezervat Shtetërore, Banka e Maqedonisë për Zhvillim.

Nga institucionet kulturore BDI do të ketë drejtorë në Bibliotekën e Tetovës, Galeria e Arteve Tetovë, Galeria Nacionale Shkup, Instituti Albanologjik Shkup, Muzeu i Alfabetit Manastir, Muzeu Natyror Shkencor, Qendra për Kulturë Gostivar, Qendra për Kulturë Tetovë, Shtëpia Përkujtimore “Nëna Terezë”, Teatri për të Rinj dhe të Rritur, Teatri Shqiptar Shkup. Ndërkaq nga institucionet e tjera më të rëndësishme BDI ka edhe Drejtorinë për rezervat e naftës, Entin Shtetëror për Pronë Industriale, Fondin e shëndetësisë, Inspektoratin për Pylltari dhe Gjueti, Inspektoratin Devizor, Inspektoratin e Punës, Inspektoratin e Transportit, Inspektoratin Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektoratin Teknik, Institutin për shëndet publik, NP Rrugët e Maqedonisë, NP Hekurudhat e Maqedonisë. Përveç drejtorive në Qeverinë e re, BDI-së i kanë takuar edhe dy zëvendëskryeministra, pesë ministra me resor dhe një ministër pa resor, katër zëvendës ministra dhe pesë sekretarë shtetëror.

Lajme të ngjashme

Back to top button